Dhjetëra mijëra njerëz protestuan në Stamboll dhe në qytete të tjera nëpër Turqi për natën e pestë radhazi të dielën, pasi rivali kryesor politik i presidentit të vendit, Recep Tayyip Erdogan, Ekrem Imamoglu u arrestua formalisht dhe u akuza për korrupsion.
Polica ka përdorur gaz lotsjellës, plumba gome dhe topa uji kundër protestuesve, të cilët po valëvitnin flamuj turq dhe po mbanin në duar pankarta pro-opozitës. Thuhet gjithashtu se ka pasur përleshje mes policëve dhe protestuesve.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, ka deklaruar se gjithsej 1,133 persona janë ndaluar që nga fillimi i protestave javën e kaluar.
Imamoglu, kryetar i Stambollit, pritej të zgjidhej gjatë një votimi më 23 mars si kandidat i Partisë Republikane Popullore (CHP) për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Turqi, të planifikuara për vitin 2028.
Por, Imamoglu dhe dhjetëra të tjerë, përfshirë politikanë, gazetarë dhe sipërmarrës u ndaluan më 19 mars si pjesë e një hetimi kundër korrupsionit.
Kryetari i njohur i Stambollit u arrestua formalisht më 23 mars dhe u akuza për “themelimin dhe menaxhimin e një organizate kriminale, marrjen e ryshfetit, përvetësimin” dhe vepra të tjera penale.
Imamoglu – i cili është anëtar i CHP-së, partisë kryesore opozitare kundër aleancës qeverisëse të Erdoganit – ka mohuar akuzat kundër tij, duke i përshkruar ato si “akuza dhe shpifje të paimagjinueshme”.
“Nuk do të përulem kurrë”, shkroi Imamoglu në X para se të arrestohej.
Arrestimi i Imamoglut shihet si akt i motivuar politikisht për ta larguar atë nga gara presidenciale. Megjithatë, qeveria këmbëngul se gjykatat e vendit janë institucione të pavarura.