Motra e liderit të Koresë së Veriut Kim Jong Un ka kërcënuar administratën Trump me veprime hakmarrëse për shtimin e “provokimeve” me vendosjen e një aeroplanmbajtëse amerikane në Korenë e Jugut.

Paralajmërimi nga Kim Yo Jong, nënkupton që Koreja e Veriut ka të ngjarë të rrisë aktivitetet e testimit të armëve dhe të mbajë qëndrimin e saj konfrontues kundër SHBA. Në një deklaratë të transmetuar nga media shtetërore koreano-veriore, ajo akuzoi SHBA-në se tregon “vullnetin e saj më armiqësor dhe konfrontues” ndaj Koresë së Veriut.

Ajo tha se vendi i saj do të jepte një përgjigje “kërcënuese” për mbërritjen e aeroplanmbajtëses amerikane në rajon.
Ekspertët thanë se deklarata nënkupton se Koreja e Veriut mund të testojë lëshimin e raketave të fuqishme të dizajnuara për të goditur kontinentin amerikan ose bazat ushtarake amerikane në rajon.

Kujtojmë se Kim jong Un dhe Donald Trump u takuan tre herë midis 2018 dhe 2019 gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan në detyrë, për të diskutuar të ardhmen e programit bërthamor të Koresë së Veriut.
Diplomacia e tyre me aksione të larta përfundimisht u shemb për shkak të grindjeve rreth sanksioneve ekonomike të udhëhequra nga SHBA-ja ndaj Koresë së Veriut.