Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ndodhet sot në Finlandë. Në këtë vizitë zyrtare, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Olena Zelenska, presidenti ukrainas u takua me presidentin e Finlandës për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën dhe hapat për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Alexander Stubband dhe bashkëshortja e tij Suzanne Innes-Stubb, pritën Zelenskyn dhe Olenën sot në pallatin presidencial në kryeqytetin e Helsinkit. Pas takimit me dyer të mbyllura, Volodymyr Zelensky dhe presidenti i Finlandës mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.
Gjatë konferencës, Zelensky tha se fjalët e Putinit janë “të ndryshme nga realiteti”.
“Edhe këtë natë, pas bisedës së Putinit me Trump, kur Putini gjoja tha se kishte dhënë urdhrin për të ndaluar sulmet ndaj objektivave të energjisë ukrainase, 150 drone goditën infrastrukturën energjetike dhe transportin”, tha presidenti ukrainas.
Zelensky tha gjithashtu se dy spitale u goditën, duke përfshirë një në rajonin verior Sumy. Ai tha presioni i përbashkët ndaj Rusisë është “i domosdoshëm si parakusht i paqes”. Ai tha më tej se do të bisedojë sot me presidentin Trump për të diskutuar detajet e takimit të kësaj të diele mes zyrtarëve amerikanë dhe rusë në Jeddah të Arabisë Saudite.
Për anëtarësimin në NATO të Ukrainës, Zelensky tha se vendi i tij do ta bëje aleancën më të fortë, duke shtuar se ushtria ukrainase ka “një nga ushtritë më të forta” në luftën moderne.