Salla e Kuvendit ndjen e para peshën e listave të reja. Pak deputetë dhe ata shumica në ikje. Majtas e Djathtas. Në kampin blu ra zia. Shumica e deputetëve demokratë braktisën karriget, disa nga mërzia e disa nga sedra.

Por i pari me nxitim mbërriti dezertori Dashnor Sula. Nuk ktheu mendje, la doktorin, për Adriatik Lapajn.

“Sali Berisha nuk e mbajti premtimin, me dy figurat, i famshmi Flamur Noka dhe e famshmja Albana Vokshi, që nuk po them që janë figurat më të urryera nga demokratët, por më të papëlqyerit, dhe më të urryerit nga qytetarët shqiptarë”

Jorida Tabaku nga rrjetet sociale dhe Dhurata Çupi nga oborri i parlamentit pranuan me zhgënjim të fshehur sfidën në listat e hapura.

“Unë nuk jam e zhgënjyer, kam garuar në lista të hapura në Dibër në 2021, kam fituar. Besoj se do të fitojë sërish”

Socialistët ishin më të kujdësshëm. Veteranët u shfaqën të buzëqeshur për listën e hapur, kurse ata që mbetën jashtë, pranuan kthimin në shtëpi.

Damian Gjiknuri: Jo, skemi patur debat me Ramën. Unë mendoj se ky sistem duhet të mbrojë disa, por Rama eksperimenton, guxon.

Eduart Ndreca: Unë do të rikthehem në universitet.

Mimi Kodheli: Është sfidë, unë jetën e kam patur gjithmonë me sfida.

Nasip Naco: S’kam asnjë borxh, nuk më kanë, në shtator rinis punën si avokat.

Lavdrim Krrashi: Unë jam zgjedhur deputet për 4 vjet, mezi pres të jem në parlament e të bëjmë punën tonë

Toni Gogu: përkundrazi, e falenderoj shumë kryeministrin, i jam mirënjohës, mirëpres sfidën

Xhemal Qefalia: Është shumë mirë, është kënaqësi kur e fiton mandatin kur të votojnë drejtpërdrejt qytetarë.

Të paktën, një lajm i mirë erdhi nga listat, bashkuan Kryemadhin me Metën, sa për vota.

“Unë do të votoj për opozitën, koalicionin Aleanca për Shqipërinë Madhështorë. Dhe në listat për deputet, në të hapur, do të votoj Ilir Metën”