Tiranë, 29 Prill – Në një atmosferë energjike dhe me entuziazëm rinor, u çel sot Turneu Universitar i Tiranës, me pjesëmarrjen e 1,200 studentëve nga 30 universitete të vendit. Studentët do të garojnë në disiplina të ndryshme sportive si volejboll, basketboll dhe futboll, për vajza dhe djem, duke reflektuar angazhimin në promovimin e sportit, vlerave të ndershmërisë dhe garës së shëndetshme.
Në ceremonisë së hapjes, të organizuar nga Federata Shqiptare e Sportit Universitar, morën pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Presidenti i Federatës Europiane të Sportit Universitar, Adam Roczek, Presidenti i Federatës së Sportit Universitar të Shqipërisë, Besnik Veliu, presidentët e Federatave Universitare të Izraelit dhe Kosovës, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka si dhe studentë, pedagogë dhe të ftuar të tjerë.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj vuri theksin te rëndësia e përfshirjes së të rinjve në sport.
“Jam e emocionuar që marr pjesë në fillimin e Turneut Universitar të Tiranës, një turne që bashkon 30 universitete në të gjithë Shqipërinë dhe përgëzoj Federatën Shqiptare të Sportit Universitar që po punon për zgjerimin e frymës sportive në universitete.
E kemi nisur me 6 universitete pjesëmarrëse dhe tashmë jemi në përfshirjen e 30 universiteteve dhe më shumë se 1200 studentë do të jenë pjesë e këtij turneu, duke garuar në volejboll, basketboll e gjithashtu dhe futboll. Po ashtu jemi krenarë që jemi bërë pjesë e Turneut Ndërkombëtar Europian për futbollin për sportin universitar.”, tha Ministrja Manastirliu.

Organizimi i këtij turneu është pjesë e një strategjie më të gjerë kombëtare që nis që në arsimin parauniversitar, përmes programit “Ekipet Sportive në Shkolla”, ku mbi 12 mijë nxënës janë të përfshirë dhe për të vijuar me zgjerimin e lëvizjes sportive deri në universitete. Ministrja Manastirliu tha se, qeveria është e angazhuar për të nxitur lëvizjen sportive për të gjitha moshat.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit mbetet e angazhuar për mbështetjen e federatave sportive, për mbështetjen e Federatës së Sportit Universitar sepse ne besojmë fort se lëvizja sportive, që sporti për të gjitha moshat është një faktor kyç jo vetëm personal për shëndetin, por rrit frymën në grup, respektin, disiplinën dhe gjithashtu promovon jetesën e shëndetshme. Ndaj ne do të vijojmë të mbështesim sportin për të gjitha moshat, duke vijuar të zgjerojmë lëvizjen sportive në shkolla dhe gjithashtu edhe në universitete dhe ku ky është një shembull real i vizionit tonë, por gjithashtu dhe i mbështetjes sonë vit pas viti.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.