Në një kohë kur një diplomë universitare dikur përfaqësonte çelësin për një të ardhme të sigurt profesionale, sot ajo po shihet nga të rinjtë si një relike e së shkuarës. Gjenerata Z, më shumë se çdo brez tjetër, po e vendos në pikëpyetje vlerën reale të arsimit të lartë – sidomos në një treg pune të dominuar gjithnjë e më shumë nga inteligjenca artificiale.

Një raport i fundit nga platforma e punësimit Indeed, i realizuar në bashkëpunim me Harris Poll, zbulon një tendencë të qartë: pothuajse gjysma (49%) e të rinjve nën moshën 27 vjeç besojnë se diploma e tyre ka humbur vlerë përballë teknologjive si ChatGPT dhe mjetet e tjera të IA-së.

Ky perceptim bie ndjeshëm në brezat më të vjetër – vetëm 33% e mijëvjeçarëve dhe 20% e “baby boomers” ndajnë këtë mendim.

Një ndryshim paradigme në tregun e punës

Ndërsa kompanitë transformojnë strukturat e tyre për të përqafuar automatizimin dhe mësimin makinerik, diplomimi universitar nuk mjafton më. Praktika, adaptueshmëria dhe njohja e mjeteve digjitale po bëhen valutë e re në treg.

“Çdo punë e shpallur sot në Indeed është, në një mënyrë apo tjetër, e ndikuar nga inteligjenca artificiale”, thotë Lynsey Fagan, eksperte e strategjisë së talenteve. Ajo thekson se për një organizatë moderne nuk mjafton që vetëm ekspertët të njohin IA-në – çdo punonjës duhet të ketë së paku një kuptim bazë të saj.

Nga diploma te certifikatat digjitale

Tregues i kësaj zhvendosjeje janë edhe shifrat e rritjes së interesimit për platformat online. Vetëm vitin e kaluar regjistrimet në kurset për mësim automatik dhe programim u katërfishuan. Kompanitë teknologjike si Google dhe Microsoft nuk presin më që punonjësit të mësojnë në mënyrë tradicionale – ato po ofrojnë vetë trajnime për përgatitjen e fuqisë punëtore të së nesërmes.

Në këtë kontekst, arsimi tradicional po përballet me një sfidë ekzistenciale: të përshtatet ose të humbasë relevancën. Ndërkohë që disa universitete po rishikojnë programet e tyre për të përfshirë IA-në, pjesa më e madhe mbetet e lidhur me kurrikula të dala mode.

Një investim që po vihet në pikëpyetje

Për shumë nga të rinjtë e sotëm, investimi disavjeçar në universitet nuk sjell më garancinë e një të ardhme të sigurt. Gjysma e të anketuarve nga Gjenerata Z e shohin kolegjin si një kosto pa përfitim. Dhe kjo pyetje nuk është vetëm financiare – është filozofike: a duhet të matet vlera e arsimit vetëm me potencialin për punësim?

Sido që të jetë përgjigja, një gjë është e sigurt – inteligjenca artificiale nuk është më thjesht një trend teknologjik, por një faktor që po riformëson gjithë strukturën e tregut të punës dhe marrëdhënien tonë me dijen dhe kualifikimin.