Nga Endri Kajsiu/

“Zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor është një përparësi e qartë për BE dhe është investimi më i rëndësishëm gjeostrategjik për paqen, për begatinë dhe për stabilitetin e kontinentit tone dhe është vërtetë inkurajuese të shohësh progresin që ka bërë Shqipëria në këtë rrugëtim”.

Kështu deklaroi për mediat Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, teksa priste në Bruksel Kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Costa e vuri në këtë mënyrë theksin te interesi i zgjuar tanimë i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor.

Kjo deklaratë e zyrtarit të lartë të BE konfirmon qartazi argumentet e kryeministrit Rama për integrimin europian të Shqipërisë që sipas tij është më afër se kurrë, në kushtet kur sot, edhe vetë BE e ka prioritet si asnjëherë më parë zgjerimin në rajon.

Rama pati deklaruar se për herë të parë interesi i BE për zgjerimin përkon sot me interesin e Shqipërisë për anëtarësimin duke shtuar se “yjet e fatit tonë dhe yjet e Europës janë bërë bashkë”.

“Ata sot duan të zgjerojnë BE-në. Atyre sot i duhet patjetër për t’i dhënë një mesazh botës që BE-ja po zgjerohet dhe për ta bërë këtë ka vetëm dy vende që mund të anëtarësohen shpejt në BE, Shqipëria dhe Mali i Zi. Bota është në një situatë tjetër. Sepse ekuilibrat janë lëkundur dhe ka një moment të rikompozimit të gjërave. Pikërisht për këtë arsye, yjet e fatit tonë dhe yjet e Europës janë bërë bashkë. Për herë të parë, ne dhe ata duam të njëjtën gjë dhe e duam tani, duam që Shqipëria të hyjë në BE. Kini parasysh që është hapur një derë që nuk do rri hapur gjithmonë”, pati deklaruar Rama.

“Yjet janë rreshtuar në favorin tonë, për herë të parë është dhe BE që do që të na marri në gjirin e vetë. Dhe prandaj po negociojmë si të çmendur për ta mbyllur në 3 vjet një proces që për të tjerët ka zgjatur shumë më tepër”, tha kryeministri në një tjetër deklaratë.