Në takimin e zhvilluar në Fier me sipërmarrës, zëvendës ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, foli për arritjet në energji dhe planet për “Shqipëria 2030”. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili gjithashtu vlerësoi arritjet e deritanishme në rrjetin energjetik, ndërsa vendosi theksin tek domosdoshmëria e burimeve njerëzore.

“Jemi në një fazë të re të vendit. Dhe është shumë e rëndësishme që të gjejmë rrugët për të rritur cilësinë e burimeve tona njerëzore. Pikërisht me shembuj si shembulli i Akademisë së OSHEE, që ka dhënë shumë rezultate pozitive që ka treguar se mund të rrisësh kapacitetet. Janë edhe mundësitë për të bërë bashkëpunime. Edhe pagat janë një pjesë e rëndësishme…Një pjesë e meritës i takon edhe sektorit privat. U besua nga sipërmarrja shqiptare se krahu i lirë i punës do të mbetej një avantazh, sepse u ec për një kohë të gjatë se mund ta mësoje pa ngrënë. Por sot shohim që pagat nuk janë më problemi kryesor… Në këto kushte duhet të gjejmë rrugët e bashkëpunimit edhe për të fuqizuar bazën e arsimit profesional gjë që në këtë sektor ka nisur. Ju bëni investime që janë 100 % standarde europiane. Sot kur vijmë në derën tuaj sikur jemi në Europë, duhet ta kuptoni që edhe burimet njerëzore duhet t’i paguani sikur jeni në Europë sepse ndryshe nuk i ke”, tha mes të tjerash Rama.