“Shuplaka” londineze ishte tepër e fortë.
Reali pësoi një disfatë të rëndë në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve, në fushën e Arsenalit, ndërsa pyetja që pas vërshëllimës së fundit ishte: A mund të ketë përmbysje?
Të gjithë në Madrid duan atë që në spanjisht e quajnë “remontada”, dhe nëse ka një ekip që ia del, ky është Reali.
Si e pret kampionia e Europës duelin e kthimit që luhet sonte?
Shqetësimet ekzistojnë, por diçka më pak se më parë.
Dani Sebajos kthehet nga dëmtimi, dhe Ferlan Mendi ndoshta ia del, ndonëse Karvahal e Militao mbeten të lënduar.
Çuameni e shleu pezullimin, por për shkak kartonësh mungon Kamavinga.
Sidoqoftë, madrilenët do të kenë në fushë yjet e sulmit si Mbape e Vinisius, dhe gjithçka mund të ndodhë në “Bernabeu”.
E vërteta është se Reali nuk ka përmbysur kurrë një diferencë me 3 gola në Champions, apo një rezultat 0-3, ndonëse ia ka dalë në 14 nga 15 rastet e fundit kur ndeshja e kthimit ka qenë në shtëpi”.
Një gazetar e pyeti trajnerin Karlo Ançeloti nëse e ardhmja e tij në Madrid varet nga kjo ndeshje.
“Më the se nuk do të bëje pyetje direkte, por kjo është pyetje direkte. Edhe unë po të jap një përgjigje direkte. Besoj se jo”
Lajmi I madh për Arsenalin është që Bukajo Saka mund të luajë titullar.
Po ashtu, nga minuta e parë pritet holandezi Timber.
Mungesa ka plot si Haverc, Gabriel Zhezus, Tomijasu, Magaljaesh dhe Kalafiori.
Gjithsesi, trajneri Mikel Arteta pritet të ketë mesfushën që pati në fitoren 3-0 ndaj madrilenëve, të përbërë nga Deklan Rajs, Martin Odegard dhe Partej.
“Ne duam fitoren. E njëjta gjë që bëmë në Londër. Ne jemi përgatitur për atë që duhet të bëjmë. Ne duhet të dominojmë ndeshjen në shumë aspekte të lojës, të japim maksimumin, që të kemi mundësi për të fituar. Kjo është e qartë për ne dhe kështu do të përpiqemi të bëjmë”.
Nëse Reali është skuadra me më shumë tituj në Champions, Arsenali është skuadra më e shquar ndër ato që nuk e ka fituar një herë trofeun “me veshë”.