Le të jetë festë, është thirrja e mediave katalanase. Në të vërtetë, duhet thënë se festa duhet të vazhdojë, pasi tek Barcelona ka kohë që ka nisur. Kremtimi i fitores së Kupës së Mbretit, pas atij të Superkupës së Spanjës, kërkon të mos ndërpritet, dhe synohen trofe të tjerë, madje më të rëndësishmit.

Këtë mbrëmje është radha e gjysmëfinales së parë në Champions, ndaj Interit, dhe ekipi “blaugrana” synon ta fitojë kupën pas 10 viteve. “Pa frikë, – shkruan “El Mundo Deportivo”, – Një duel stilesh të kundërt, sulmi më I mirë përballë mbrojtjes më të mirë!”

“Le të jetë festë, – titullon “Sport”, gjithashtu me fytyrën e Lamin Jamalit, që ishte protagonist në konferencë për shtyp duke kërkuar të shijojë momentin!” Trajneri Hansi Flik nuk do të ketë sulmuesin kryesor, Robert Levandovski, pork jo nuk prishi punë në Kupë. Në fushë do të jetë treshja Lamin Jamal-Rafinja-Ferran Torres, dhe Olmo pas tyre.

Barça ka si objektiv Championsin dhe La Ligën.

“Ne jemi të përqëndruar vetëm tek ndeshja e parë dhe nuk do të flas për gjë tjetër. Interi është një kundërshtar shumë I fortë. Mbrojtja e tyre është një nga më të mirat në Europë. Po ashtu ata kanë përvojë të madhe në mesfushë. Të mos harrojmë dy sulmuesit e tyre. Një rival i vështirë, një ndeshje e vështirë dhe ne duhet të jemi të përgatitur”.

Inter ka lajme të mira dhe të këqija. Kryesorja është që sulmuesi Markus Turam është kthyer në stërvitje.

Nuk dihet nëse francezi do të jetë në 100 për qind, por pa praninë e tij në fushë, zikaltërit kanë humbur të treja ndeshjet e fundit duke mos shënuar asnjë gol, pra ndaj Bolonjës, Milanit dhe Romës.

I kthyer nga dëmtimi edhe mbrojtësi holandez, Damfris, por parashikohet që ai ta nisë nga stoli. Ndërkaq, kapiteni Lautaro Martinez, ngacmohet se përballë do të ketë atë që krahasohet me Mesin, Lamin Jamalin.

“Së pari dua të them se Leo për mua nuk mund të krahasohet me asnjë tjetër, sepse Leo është dhe do të mbetet lojtari më I mirë I të gjitha kohëve. Pra, këtë krahasim nuk dëshiron që ta bëj. Unë mund të them vetëm që Lamin është një lojtar shumë I rëndësishëm. Të gjithë e kemi parë dhe e njohim. Në moshën e tij të re po bën gjëra të mëdha. Ka fituar tituj me kombëtaren dhe e respektojmë. Ka një të ardhme të madhe”.

Barcelona cilësohet favorite, ndonëse edhe Interi ia ka dalë ndaj saj në të kaluarën. Zikaltërit kanë dy fitore e gjashtë humbje në Champions, dhe kualifikimin e vetëm në kohën e Murinjos, ndërsa në total dy ekipet kanë 16 ndeshje me 3 fitore interiste, 8 fitore të Barçës dhe 5 barazime.