Një ditë para hyrjes në fuqi të tarifave doganore, që presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur ndaj Bashkimit Evropian, vjen reagimi i fortë i unionit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha gjatë seancës plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg se BE është gati t’i përgjigjet tarifave të vendosura nga Trump.
Ajo tha se Unioni kërkon dialog, por nuk ka ndërmend të qëndrojë pasiv përballë sulmeve tregtare nga Shtetet e Bashkuara.
“Shumë evropianë ndihen thellësisht të zhgënjyer nga njoftimet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Evropa nuk e nisi këtë përplasje. Ne e konsiderojmë të gabuar. Por mesazhi që dua t’ju përcjell sot është se kemi gjithçka që na nevojitet për të mbrojtur qytetarët tanë dhe prosperitetin tonë. Ne kemi tregun më të madh të vetëm në botë, kemi forcën për të negociuar, dhe njerëzit e Evropës duhet të dinë se së bashku ne gjithmonë do të promovojmë dhe mbrojmë interesat dhe vlerat tona, dhe së bashku do të qëndrojmë gjithmonë në mbrojtje të Evropës sonë”.
Ajo nënvizoi se strategjia e BE-së mbështetet në tre shtylla kryesore: negociatat, diversifikimin e marrëdhënieve tregtare, duke filluar me Kinën, dhe forcimin e tregut të brendshëm. Sipas saj, kjo përplasje me Shtetet e Bashkuara nuk është në interesin e askujt dhe do të çojë vetëm në rritje të inflacionit.
“Tarifat janë taksa për amerikanët mbi sendet ushqimore dhe ilaçet e tyre. Tarifat thjesht do të nxisin inflacionin, pikërisht e kundërta e asaj që duam të arrijmë”.
Von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian ishte i hapur për negociata me Uashingtonin, por sipas saj, blloku do të negocionte nga një “pozitë e fortë” dhe do të merrte “kundërmasa të forta nëse është e nevojshme”.
Nga ana e tij, Trump ka argumentuar se tarifat mbrojnë industritë amerikane nga konkurrenca e huaj e pandershme si dhe mbledhin para për qeverinë federale.