Mrekullitë nuk ndodhin me “frymën e shenjtë”. Siç e theksoi me të drejtë e përditshmja sportive madrilène, “Marka”, nëse nuk luan futboll, nuk arrin dot suksesin, aq më pak përmbysjen.
Nuk pati “remontada” në “Santiago Bernabeu”, edhe pse atmosfera ishte e frikshme me rreth 80 000 tifozë të tërbuar në tempull.

Arsenali përballoi presionin, pati guximin edhe pas humbjes së penalltisë nga Saka, dhe arriti një tjetër fitore të madhe.
Kualifikimi I anglezëve ishte tërësisht I merituar, me dy suksese, dhe me shifrat totale 5-1. Reali I yjeve Mbape, Vinisius e Belingham, dhe I trajnerit rekordmen të Ligës së Kampionëve, Karlo Ançeloti, dështoi plotësisht.

Saka kaloi “topçinjtë” në epërsi në 65’, por Vinisius barazoi për në dy minuta.
Gjithsesi, në vetëm 23 minuta nuk mund të ndodhte asgjë, përveçse që Arsenali të shënonte të dytin, siç ndodhi në minutën e tretë shtesë me anë të Gabriel Martinelit.

Mos vallë kjo ishte ndeshja e fundit e Ancelotit në stol?

“Nuk e di. Nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Mund të ndodhë që klubi të vendosë për një ndryshim. Mund të jetë këtë vit, apo vitin që vjen kur më përfundon kontrata. Nuk kam asnjë problem. Ditën që nuk do të jem më këtu mund të bëj vetëm një gjë, ta falenderoj këtë klub. Mund të jetë nesër, pas 10 ditësh, pas një muaji, pas një viti. Nuk mendoj asgjë tjetër”.

“Po nuk luajte futboll, nuk ka mrekulli, – është verdikti I “Markës”, – fiasko e të besuarve të Ancelotit! Kampionët nuk përfitojnë nga atmosfera e frikshme në “Bernabeu”!”

“Ishte vetëm një ëndërr, – shkruan e përditshmja tjetër madrilène, “AS”, – Madridi nuk ishte në lartësinë e tifozëve, kurrë nuk iu afrua përmbysjes ndaj një Arsenali superior!”

Nga Anglia, “Deili Meil” vlerëson lart Deklan Rajsin, të cilin ish-ylli I Skocisë, Mekkoist e cilëson “monumental” në të dyja ndeshjet! E përditshmja tjetër, “Deili Telegraf”, shkruan se Arsenali pati 7 mënyra sesi e zbërtheu Realin, duke theksuar forcën e sulmit, qendrueshmërinë e mbrojtjes, dhe dominimin në mesfushë!

A ka qenë ndonjëherë Arteta më krenar me lojtarët e tij sesa tani?

“Ndoshta jo! Kjo jo vetëm sepse ne jemi në gjysmëfinale të Championsit për herë të dytë në histori, por edhe për mënyrën sesi ia dolëm, për mënyrën sesi luajtëm, dhe për dëmtimet që patëm. Mbi të gjitha kjo tregon karakterin e kësaj skuadre dhe të këtij klubi. Një mbrëmje për t’u krenuar”.
Është e dyta herë që Arsenali e eliminon Realin në Champions me fitore në “Bernabeu”, madje në 4 ndeshje nuk ka pësuar asnjë humbje.