Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka denoncuar se Partia Socialiste u shpërndanë qytetarëve në Maliq miell në këmbim të votës. Sipas tij, shpërndarja bëhet në shtëpitë e familjeve të lidhura me administratën lokale dhe në bashkëpunim me njerëz të njohur për mbështetje ndaj PS-së.

Në qendër të akuzave të Spahos është edhe gazetari Xhensil Shkëmbi, anëtar i një komuniteti kishtar në Maliq, i cili së bashku me Kishën Ungjillore ka shpërndarë ndihma ushqimore për disa familje në nevojë.

Spaho e konsideron këtë veprim si pjesë të një skeme elektorale për blerje votash, duke theksuar se mielli është shpërndarë nga shtëpitë e dy punonjësve të administratës Sonil Sulo Pina, punonjës në Bashkinë Maliq, dhe Vjollca Qato, punonjëse e Postës.

Filloi shpërndarja e miellit në Maliq në këmbim të votave. PS po shpërndan miell nga shtëpitë e Sonil Sulo Pine dhe Vjollca Qato. Shihni fotot e maskarenjve që shpërndajnë miell për vota dhe që pretendojnë të na fusin në Europë. Nesër do ju bëj kallëzim penal në SPAK”, shkruan Spaho.

Ndërkohë, gazetari Xhensil Shkëmbi është përgjigjur duke sqaruar se ndihmat janë pjesë e një projekti humanitar trevjeçar të Fondacionit “Hope for Albania”, që zhvillohet në Krishtlindje dhe Pashkë, për më shumë se 200 familje në nevojë në Qarkun e Korçës.

“Edmond Spaho, ky nuk është miell fushate por humanizmi. Jam pjesëtar i komunitetit kishtar në Maliq prej më shumë se 8 vitesh. Çdo muaj, Kisha Ungjillore për shkak të problemeve të shumta sociale të komunitetit të Qarkut të Korçës për më shumë se 200 familje në nevojë u ka ofruar ndihma ushqimore e jo vetëm. Familje të cilat jetojnë në kushte të vështira ekonomike, edhe për faj të politikës. Ndërsa këto ndihma janë pjesë e një projekti të fondacionit Hope for Albania, 3 vjeçar, ku shpërndahen për Krishtlindje dhe Pashkë. Kisha asnjëherë nuk e ka pasur për qëllim të ngatërrojë humanizmin me politikën sepse kisha është fe, është familje, është atdhe. Krejt ndryshe nga politika. Zoti Spaho, gratë të cilat i kishit ekspozuar në foto (duke shkelur rëndë privatësinë e individit) janë ndjerë të fyera nga ana juaj. Barrë të rëndë ke marrë përsipër deputet”, i përgjigjet gazetari.

Akuzave të Spahos i është përgjigjur edhe Kisha Ungjillore Libonik-Maliq. Kisha sqaron se ndihmat janë pjesë e një projekti 3-vjeçar që synon të ndihmojë familjet në nevojë në të gjithë Shqipërinë. Kisha thekson se janë informuar edhe institucione kombëtare e ndërkombëtare që monitorojnë çështjet e besimit.

‘Lidhur me reagimet e fundit të deputetit të Partisë Demokratike të Shqipërisë Z.Edmond Spaho, përsa i përket ndihmave humanitare të shpërndara nga Kisha Ungjillore Libonik, Fondacioni “Duart që Sigurojnë” dhe Fondacioni “Hope for Albania”, anëtarë të Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë. Ky është një projekt 3 vjeçar në bashkëpunim me disa fondacione humanitare për të ndihmuar familjet në nevojë jo vetëm në zonën e juglindjes por gjithë Shqipërisë, duke përfshirë miell dhe paketa të tjera ushqimore

Kisha Ungjillore Libonik distancohet nga gjuha denigruese e kujtdo që kërkon të baltosë punën disavjeçare. Të gjitha sqarimet përkatëse janë bërë në komisariatin e Maliqit nga pastori Plator Çollaku dhe gratë të cilat kanë përfituar ndihmat humanitare dhe në të njëjtën kohë po informohen dhe institucione të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare që monitorojnë çështjet e besimit’, thuhet në njoftim.

Por, Spaho nuk është tërhequr, duke kujtuar se pastori i Kishës, Plator Çollaku, gazetari dhe deputeti Ilir pendavinji janë parë në një tavolinë së bashku. Ai ngriti pyetjen nëse në këto takime bëhej ndarja e miellit për qytetarët.

‘Zoti Xhensil Shkëmbi, ai nuk është miell humanitar por puro elektoral. A mund të më thuash ti, Xhensil “besimtari”, përse Kisha e ndan miellin në shtëpinë e Sonil Pinës, punonjës i Bashkisë Maliq, dhe Vjollca Qatos, punonjëse e Postës? Po të kujtoj ty, Xhensil “gazetari” i regjimit, që pastori Plator Çollaku është anëtar i Këshillit Bashkiak nga PS. Pra, “feja” jote dhe e pastorit janë punët e PS-së dhe jo punët e Zotit. Fenë e keni si maskë për paudhësitë tuaja. Së fundi, Xhensil trimi, çfarë kërkoni ti dhe pastori në një tavolinë me Ilir Pendavinjin, siç dukeni në këto foto më poshtë? Po merreni me punët e Zotit apo punët e ndarjes së miellit? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, Xhensil, mos m’i jep mua, por SPAK-ut, i cili do t’ju thërrasë së shpejti të gjithëve ju, manipuluesit e zgjedhjeve’, shkruan ai.

Teksa iu përgjigj kritikave për sulm ndaj gazetarit Shkëmbi, Spaho sqaroi se nuk është marrë personalisht me gazetarin Xhensil Shkëmbi, por me Partinë Socialiste dhe deputetin Ilir Pendavinji.

Ai tha se pastori i Kishës është anëtar i këshillit bashkiak në Maliq, i zgjedhur nga PS dhe kleriku tjetër është deputeti Toni Gogu. Spaho tha se ky rast është dërguar në SPAK, ndërsa ka kërkuar zbardhjen e rastit.

‘Unë nuk jam marrë me gazetarin, por me PS Maliq dhe deputetin Ilir Pendavinji. Këtë të fundit e ftova dhe e ftoj për debat në TV në lidhje me blerjen e votave me miell, por ai nuk pranon. Gazetari hyri në lojë kur u përpoq të më bindte se ky miell është humanitar dhe jo elektoral. Në këto kushte, isha i detyruar t’i përgjigjesha për deformimin që po bënte. Nëse mielli ishte humanitar, Kisha e shpërndan në oborrin e saj dhe jo në shtëpitë e dy anëtarëve të PS-së, njëri punonjës në bashki Maliq dhe tjetri në një institucion shtetëror. Aq më tepër kur kjo bëhet në kulmin e fushatës elektorale.

Më tej, unë nuk mund ta kapërdij termin “humanitar”, kur pastori i Kishës është anëtar i këshillit bashkiak në Maliq, i zgjedhur nga PS. Klerikë të tillë gjen vetëm në PS. Toni Gogu është pastori tjetër deputet. Pavarësisht “kritikave”, do të vazhdoj të demaskoj shitblerjen e votës, sikurse kam kallëzuar në Prokurori 8 punonjës të administratës lokale dhe qendrore në Maliq, të cilët bënin fushatë për PS gjatë orarit zyrtar. Rastin e miellit e kemi çuar në SPAK dhe uroj të kenë këllqe ta zbardhin. I them edhe ndonjë demokrati se demokracinë iluministe të tipit norvegjez e njoh edhe unë, por në Shqipëri ende 21% të votuesve ju ble vota në zgjedhjet e vitit 2021. Këto fenomene i ndesh gjerësisht në Maliq. Ju kujtohet besoj sesi kryetari i Bashkisë në vitin 2023 mblodhi të gjithë fermerët dhe i gënjente se do t’u jepte lejet e qarkullimit për traktoret’, tha ai.