Nuk luhet vetëm për krenari. E vërtetë që tifozët e Interit dhe Milanit duan që skuadra e tyre të dominojë në qytet, por gjysmëfinalja e sotme e Kupës së Italisë ka llogari të tjera.

Një derbi delikat, por edhe që jep shpresë. Moment shumë I vështirë për Interin, pas humbjes në Bolonjë në Serinë A, ku gara për titullin është tërësisht e hapur me Napolin.

Çast vendimtar, por edhe tepër i ngarkuar, pasi zikaltërit konkurrojnë edhe për “skudeton”, edhe për Kupën, por mesjavën e ardhshme vjen gjysmëfinalja e parë e Championsit kundër Barcelonës.
Bashkë me Kupën e Botës për klubet, mund të fitohen katër trofe, por edhe asgjë, dhe kjo “asgjë” mund të fillojë që sonte. Trajneri Simone Inzagi pritet të luajë sërish me titullarët e zakonshëm, edhe pse të lodhur.

Turam mungon, dhe Lautaro Martinez duhet të shtrëngojë dhëmbët sërish. Të dëmtuar edhe Damfris e Zielinski. Në mesfushë priten Çalhanoglu, Barela e Mkitarian, ndërsa Kristian Asllani besohet se do ta nisë sërish nga stoli.

Problem më vete është se Milani këtë sezon mbetet I pathyeshëm në derbi. Zikaltërit kanë dy barazime e dy humbje, përfshi Serinë A, Kupën dhe Superkupën. “La Gazeta delo Sport” shkruan se derbi është për drithërima, dhe komenton se Interi nuk mund të gabojë, ndërsa kuqezinjtë luajnë për të shpëtuar sezonin.

“Është gjithçka për t’u humbur, – paralajmëron “Il Korriere delo Sport”, – Kupa, Inzagi ëndërron tripletën, për Konseisaon, objektivi I vetëm!” Milani ka lajme të mira se Kajl Uolker dhe Loftus Çik janë kthyer në stërvitje, edhe pse nuk kanë 100 për qind të formës.

Skema mund të jetë 3-4-3, ashtu si edhe për Interin, dhe yjet si Reijnders, Teo Hernandez, Leao e Pulishiç do të jenë në fushë, siç pritet edhe Abraham në sulm. Trajneri Serzhio Konseisao do të donte të fitonte Kupën e Italisë, për të pasur një trofe dhe për të siguruar Ligën e Europës, pasi në Serinë A pozitat janë shumë të dobëta.

Gjithsesi, kompanitë e basteve në një zë shpallin Interin favorit për fitore dhe për të arritur finalen, madje me diferencë të konsiderueshme për Milanin. Sidoqoftë, fusha deri tani ka treguar se kampionët nuk dinë ta bëjnë të vetin derbin.