Triumfi i së mërkurës shënoi një nga momentet më të paharrueshme të qëndrimit të Mikel Artetës në pankinën e Arsenalit.

“Topçinjtë” shkuan në “Santiago Bernabeu” me avantazhin 3-0 nga ndeshja e parë, kryesisht falë dy golave magjikë nga Deklan Rajs dhe realizimit të Mikel Merinos. Ndeshja e kthimit u mbyll me fitoren 2-1 dhe rezultatin final 5-1 për londinezët.
Pas ndeshjes, Arteta tregoi se si ai kërkoi frymëzim nga njeriu që e prezantoi për herë të parë me stërvitjen e nivelit elitar, Pep Guardiola.

“E telefonova Pep Guardiolën këtë mëngjes (përpara ndeshjes së dytë me Real Madridin) sepse mendoj se nëse jam këtu, kjo është falë tij në një masë të madhe. Si lojtar dhe si trajner, ai ka qenë një frymëzim për mua, dhe ai është personi që vendosi të vinte bast për mua, të më përfshinte si trajner të dytë. Kam jetuar katër vite të mrekullueshme me të tek Mançester Siti dhe duhet të jem mirënjohës, do t’i jem gjithmonë mirënjohës, përndryshe nuk do të isha këtu”, deklaroi Mikel Arteta.