Më 2021, PS-së i duhej të merrte në Qarkun Korçë qoftë edhe 1 votë me shumë se PD-ja, që ta siguronte mandatin e 6-të të saj. Ndërsa tani mund t’i duhen rreth 14 mijë vota epërsi, për të siguruar mandatin e 6-të, sepse këtë vit Qarku Korçë ka gjithsej 10 mandate parlamentare (e jo 11 si para katër vjetësh).

Më 2021, kur emigrantët nuk mund të votonin me postë, por as edhe duke ardhur me autobuzë (prej pandemisë), PS-ja mori 60540 vota të vlefshme, përkundrejt 50480 votave të PD-AN dhe 8500 votave të LSI-së. Tani që PD dhe LSI janë bashkë në Aleancën e Shqipërisë Madhështore, dhe që qarkut i është pakësuar 1 mandat, PS-së i duhet ta rrisë ndjeshëm epërsinë ndaj të dyjave, për të ruajtur 6 mandatet që mori para katër vjetësh.

Dy dinamika janë në lojë në qark, në ndryshim nga viti 2021. Së pari, emigrantët mund të votojnë si me postë, ashtu edhe duke ardhur fizikisht të votojnë më 11 maj – dhe historikisht PS-ja ka patur epërsi ndër korçarët në emigracion. Së dyti, LSI-ja është dobësuar ndjeshëm në territorin e Qarkut Korçë.

Por a do të jenë këto dy dinamika të mjaftueshme për t’i dhënë PS-së një epërsi prej rreth 14 mijë votash në Qarkun Korçë? Që do t’i siguronin asaj përsëri mandatin e 6-të atje. Kjo është pyetja më interesante statistikisht në llogaritë elektorale të qarqeve të ndryshme…