I kishte bërë valixhet gati dhe priste fundin e sezonit për t’u larguar. Por, Mohamed Salah duhet ti zbrazë sërish ato, pasi do të qëndroj te Liverpul edhe për dy vite të tjerë. Ndryshe nga sa pritej, sulmuesi egjiptian dhe klubi anglez kanë arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës, që I skadonte në fund të këtij sezoni.
“Reds” janë bindur se nuk mund të bëjnë pa “Faraonin” e tyre, sidomos pas një sezoni spektakolar të tij, ku ka shënuar 32 gola në 45 ndeshje në të gjitha kompeticionet, 27 prej tyre në Premier Ligë, ku është favorit për “Këpucën e Artë”. Po ashtu, ai ka dhënë edhe 22 asist për shokët e skuadrës.
Shifra marramendëse që e kanë detyruar Liverpul të rinovojë kontratën me Salah deri në qershor të vitit 2027.
Egjiptiani u ble nga Roma në verën e vitit 2017 për 42 milion euro. Që nga ajo ditë numëron 394 ndeshje dhe 243 gola të shënuar, duke ndihmuar Liverpul të fitojë një Champions League, një Botëror për Klube, një Superkupë Europe dhe një titull në Premier League, një Kupë të Anglisë, dy Kupa të Ligës dhe një Superkupë të Anglisë.
Pas Salah, Liverpul do të rinovojë kontratën edhe me kapitenin Virgil Van Dijk, duke konfirmuar kështu dy prej shtyllave të ekipit në vitet e fundit.
Krejt i ndryshëm është diskutimi për Trent Aleksander Arnold, që do të largohet në fund të sezonit me Real Madrid si destinacionin e ardhshëm të karrierës së tij.