A do të mund ta fitojë një film i krijuar Inteligjenca Artificiale një çmim Oscar? Mesa duket, po! Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka përditësuar rregullat e saj dhe ka deklaruar se përdorimi i Inteligjencës Artificiale (IA) nuk përjashton më një film nga nominimi për çmimet më prestigjioze të kinemasë – për sa kohë që krijimtaria njerëzore vazhdon të mbetet pjesë e rëndësishme e procesit.
Ky vendim vjen pas suksesit të disa filmave të fundit që përdorën teknologjinë IA për të përmirësuar aktrimin dhe zërin e personazheve. Një shembull i njohur është “The Brutalist”, ku performanca e Adrian Brody u ndihmua përmes IA-së për të përsosur theksin hungarez të personazhit të tij. Po ashtu, në filmin muzikor “Emilia Perez”, IA u përdor për të rregulluar dhe përmirësuar vokalin e këngëtarëve – dhe ky film përfundoi duke fituar një Oscar!

Por jo të gjithë janë të kënaqur me këtë drejtim të ri. Aktorë dhe skenaristë kanë ngritur shqetësime për mënyrën se si mjetet si ChatGPT mund të zëvendësojnë krijimtarinë njerëzore. Scarlett Johansson, për shembull, është një nga zërat më kritikë, duke folur hapur për rrezikun që teknologjia mund të abuzojë me imazhin apo zërin e një artisti pa pëlqimin e tij/saj.
Për të ruajtur ekuilibrin, marrëveshjet e reja mes sindikatave dhe studieve parashikojnë masa mbrojtëse për të drejtat e artistëve, duke i detyruar prodhuesit të jenë më transparentë për mënyrën si përdorin IA-në. A është kjo një epokë e re e krijimtarisë, apo fillimi i një epoke ku aktorët digjitalë mund të marrin vendin e yjeve të ekranit? Kohët e fundit na tregojnë se arti dhe teknologjia po bashkëjetojnë më shumë se kurrë.