Partia Socialiste vijoi turin e saj elektoral në qytetin e Shkodrës. Kryesocialisti Edi Rama, gjatë fjalës së tij, u shpreh se nën drejtimin e socialistëve kryeqendra e veriut është transformuar rrënjësisht.
Ai pohoi se në Shkodër në dy vite nën drejtimin e Bashkisë nga socialistët, janë bërë aq shumë punë sa nuk janë bërë në të gjitha vitet e mëparshme të marra së bashku.
“Ne sot kemi mundësi t’ju themi, që vetëm në 2 vjet ne kemi bërë për Shkodrën sa nuk është bërë në të gjitha vitet e tjera të marra së bashku. Në 2 vjet kemi ndërtuar sa kemi mundur, por s’kemi bërë asnjë dëm, ndërsa në vitet e mëparshme ata kanë ndërtuar Noc Rrokun dhe kanë bërë vetëm dëme”, tha ai.
Ai shtoi se Shkodra ka qenë Evropa e Shqipërisë dhe më 11 maj qytetarët shkodranë duhet të zgjedhin historinë.
“Shkodra jo vetëm ka shpresë, por Shkodra ka hyrë në një rrugë shpresoj pa kthim. Shkodra ka qenë dikur Evropa e Shqipërisë. I takon Shkodrës, besoj unë, që më 11 maj të marrë një vendim shumë domethënëse, jo për mua e PS, por për historinë e vet. I takon Shkodrës që mundësinë historike që kemi sot, që të hyjmë në derën e BE”, tha ai.
