Gjermania i ka bërë thirrje Ukrainës të mos pranojë propozimin e fundit për paqe të presidentit amerikan Donald Trump, i cili sugjeron që Kievi të heqë dorë nga territore të mëdha në këmbim të një armëpushimi me Rusinë.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi të dielën për transmetuesin publik ARD se një marrëveshje e tillë do të ishte e barasvlershme me një “kapitullim”. Sipas tij, ndonëse Ukraina mund të jetë e detyruar të bëjë disa kompromise territoriale për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm, ajo nuk duhet të pranojë kushtet e ofruara nga Trump.

“Ukraina padyshim e di se mund të duhet të heqë dorë nga një pjesë e territorit për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm që është rënë dakord me mirëbesim”, tha Pistorius. “Por ata sigurisht nuk do të shkojnë aq larg, ose nuk duhet të shkojnë aq larg, sa propozimi i fundit nga presidenti amerikan.”
Pistorius shtoi se propozimi i paraqitur nga Trump nuk sjell asnjë vlerë të shtuar për Ukrainën dhe se një marrëveshje e tillë mund të ishte arritur edhe një vit më parë, në kushte që ai i konsideron të papranueshme.
Sipas raportimeve të mëparshme nga Axios, e ashtuquajtura “ofertë përfundimtare” e Trump përfshin njohjen nga Shtetet e Bashkuara të Krimesë si pjesë e Rusisë, njohjen jozyrtare të kontrollit rus mbi territoret e pushtuara pas vitit 2022, ndalimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe heqjen e sanksioneve kundër Rusisë të vendosura që prej vitit 2014. Komentet e Pistorius vijnë në një kohë kur në Washington po diskutohet seriozisht mundësia e vazhdimit të rolit ndërmjetësues në konflikt.
Senatori amerikan Marco Rubio deklaroi së fundmi se administrata Trump po shqyrton nëse palët janë mjaftueshëm afër një marrëveshjeje për të justifikuar një investim të mëtejshëm diplomatik. Megjithatë, Rubio nuk specifikoi një afat përfundimtar për arritjen e një përparimi.