TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbahet seanca paraprake në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, në lidhje me dosjen e njohur “Partizani”. Në këtë seancë pritet të merret vendimi për kalimin për gjykim ose jo në ngarkim të Sali Berishës dhe të pandehurve të tjerë.

SPAK nisi hetimet për Berishën me akuzën e korrupsionit pasiv, pasi ka dyshime se ka nxjerrë akte nën ligjore për t’i ardhur në ndihmë dhëndrit të tij me qëllim përfitimin e pronës në kundërshtim me ligjin.
Ndërsa Malltezi u hetua për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Për Berishën e Malltezin, por edhe 3 persona të tjerë u caktuan masa sigurie prej tetorit të vitit 2023. Ish-kryeministri Sali Berisha refuzoi të zbatonte masën e parë të caktuar nga Gjykata e Posaçme dhe ndaj tij u caktua masa e dytë ajo e arrestit në shtëpi.

Pas qëndrimit në banesë për më shumë se 11 muaj, atij iu shfuqizua masa shtrënguese, por me vendim të Apelit të Posaçëm në janar të këtij viti iu caktua “detyrim paraqitje”.
Në seancën e sotme, do jetë gjyqtarja Flojera Davidhi, e cila do të japë vendim nëse dosja do kalojë për gjykim ose jo.