Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka hapur tenderin për mbikqyrjen e punimeve të hekurudhës Vorë – Hani i Hotit. Mbikqyrja do të përfshijë edhe të gjitha shërbimet mekanike dhe elektrike, ndërsa autoritet kontraktor do të jetë Hekurdha Shqiptare.
Hapja e kësaj procedure vjen 1 muaj pas përmbylljes së fazës së parë të tenderit për ndërtimin e kësaj linje hekurudhore, që ishte fazë parakualifikimi. Kjo do të thotë se kompanitë që kualifikohen do të ftohen të ofertojnë në një fazë të dytë, deri në përzgjedhjen e kompanisë që do të zbatojë punimet.

Me përmbylljen e procedurave tenderuese dhe lidhjes së kontratës, i hapet rruga zbatimit të punimeve për një nga projektet më të rëndësishme hekurudhore në vend.
Sikurse është bërë e ditur më herët punimet kryesore do të përfshijë modernizimin e rreth 120 km rrugë të përhershme midis Vorës dhe Hanit të Hotit për të arritur shpejtësi maksimale operimi 100–120 km/orë.
Kosto totale për rehabilitimin e linjës hekurudhore që do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi është 368 milionë euro dhe bashkëfinancohet me kredi të dhëna nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, një granti të Bashkimit Evropian dhe qeverisë shqiptare që do të mbulojë koston e çdo zhvendosjeje të tokës, risistemimin, dhe taksat e nevojshme për të finalizuar projektin.