Deputeti i Partisë Socialiste dhe kandidati për Tiranën në zgjedhjet e 11 majit, Pandeli Majko, ka komentuar situatën e presidentit të Partisë së Lirisë , Ilir Meta, i cili aktualisht ndodhet në burg.
Në studion e News24, Majko, i cili ka qenë koleg politik me Metën si pjesë e PS, ka ndarë mendimet e tij për këtë periudhë të kaluar dhe për largimin e Metës nga PS për të krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI).

Ai e përshkroi Ilir Metën si dikë që “ka bërë shkollën e elefantëve”, por që, sipas tij, krijoi më pas “partinë e dhelprave”.
Megjithatë, ai theksoi se, pavarësisht diferencave mes tyre, Meta mbetet shoku i tij i rinisë dhe që e ka njohur për një kohë të gjatë.
Majko shprehu gjithashtu keqardhjen për situatën e Metës dhe theksoi se nuk do ja uronte askujt që të kalonte përmes asaj që ai ka përjetuar, madje as armikut të tij më të egër.
I pyetur nëse ka tentuar të takojë në burg Metën apo kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, ai tha: “Nuk kam tentuar, jo se më mungon guximi, por mendoj se do kishte keqkuptime në korridoret e politikës”.