Vështirë të mbahen dy kunguj nën një sqetull. Kështu është shprehja dhe Interi e kuptoi këtë fundjavë sesa e vështirë është të luftosh edhe për Serinë A, edhe për Championsin, por edhe për Kupën e Italisë.

Zikaltërit pësuan një humbje të hidhur e ndoshta të papritur në Bolonjë, ndonëse erdhi pikërisht në fund. Orsolini shënoi mrekullisht në minutën e katërt shtesë, duke konkretizuar lojën më të mirë të bolonjezëve.

Tashmë, Napoli është kthyer fort në garën për titull, ndonëse nuk ishte jashtë saj as më parë. Me dy ekipet me pikë të barabarta, të besuarit e trajnerit Konte kanë vetëm 5 ndeshje të Serisë A për të luajtur, ndërsa zikaltërit mund të kenë edhe 10, nëse shkojnë deri në fund në Champions dhe në Kupën e Italisë. Trajneri Simone Inzagi ndoshta pati pjesën e vet në humbje, sepse bëri vetëm dy ndryshime në krahasim me ndeshjen e mesjavës në Champions ndaj Bajernit.

Ndoshta, edhe lodhja ka bërë të vetën pas një përballjeje të Ligës së Kampionëve që kërkoi shumë energji. Ndërkaq, fati I Kristian Asllanit, logjikisht duket i përcaktuar, pra pritet që të largohet nga Interi në verë.

Vështirë të gjesh një shpjegim tjetër kur mesfushori kuqezi ka luajtur vetëm 6 minuta në tri ndeshjet e fundit, ndonëse në dy të tjera ka qenë i pezulluar. Interi ka 73 pikë po aq sa Napoli, por golaverazh më të mirë, ndërsa ndeshjet direkte janë dy barazime.