Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, mbërriti në Romë mëngjesin e sotëm, ku u prit nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni në Palazzo Chigi, në një takim që u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe në çështje ndërkombëtare të rëndësishme si negociatat tregtare dhe lufta në Ukrainë.
“E vlerësoj thellësisht miqësinë mes dy vendeve tona”, deklaroi Vance, duke theksuar rëndësinë e partneritetit SHBA–Itali. Nga ana e saj, Meloni e quajti takimin “një mundësi tjetër për të forcuar bashkëpunimin tonë” dhe shtoi se është “shumë krenare për këtë marrëdhënie të privilegjuar”.
Takimi nisi me një atmosferë të ngrohtë dhe batuta miqësore. “Më ka marrë malli, nuk të kam parë prej kohësh”, i tha Meloni me humor Vance, gjatë pritjes zyrtare në oborrin e Palazzo Chigi.
Vance iu përgjigj po me të njëjtën frymë miqësore dhe batutash, duke shtuar me shaka se “edhe sikur të më kishte fyer, do ta kishte bërë në gjuhën më të bukur që mund të imagjinohet”. Më pas, të dy drejtuesit shtetërorë shqyrtuan gardën e nderit të Marinës, ndërsa në sfond intonoheshin himnet kombëtare të dy vendeve.
Në qendër të diskutimeve ishin marrëdhëniet tregtare mes SHBA-së dhe Bashkimit Europian. “Do të flasim për negociatat që janë në vazhdim dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi ndërtuar edhe gjatë takimeve me Presidentin Trump,” theksoi Vance.
Ai gjithashtu përmendi zhvillimet më të fundit në luftën Rusi–Ukrainë, duke shprehur një qasje pozitive: “Kemi një ndjenjë optimizmi për negociatat. Shpresojmë se mund t’i japim fund kësaj lufte brutale.”
Në një moment gjatë takimit, Meloni tregoi një anë më informale të saj duke marrë përsipër përkthimin personal të deklaratës së saj: “A ka njeri që mund ta përkthejë? Jo, do ta përkthej vetë,” tha ajo me buzëqeshje. Pas përkthimit të saj, Vance konfirmoi në anglisht: “Ne jemi ok, ne e bëmë vetëm.”
Avioni me JD Vance dhe familjen e tij u ul në orën 07:44 në aeroportin Ciampino të Romës, duke shënuar fillimin e një vizite që konfirmon edhe një herë marrëdhëniet e ngushta mes Italisë dhe Shteteve të Bashkuara.