Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në Tiranë, Jorida Tabaku, ka ndarë një mesazh të ngrohtë nga Rruga e Kavajës, një prej zonave më dinamike të kryeqytetit, ku ka zhvilluar takime me qytetarë dhe biznese lokale në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit.
“Rruga e Kavajës, një rrugë e gjallë, me ritmin e qytetit dhe zërin e njerëzve që nuk dorëzohen,” u shpreh Tabaku, duke vlerësuar shpirtin e gjallë të komunitetit dhe energjinë pozitive që i jep kuptim angazhimit për një të ardhme më të mirë.

Në fokus të fushatës së saj janë rritja e pensioneve dhe vendosja e një takse të sheshtë 10%, si pjesë e një sistemi më të ndershëm ekonomik që, sipas saj, do të sjellë më shumë para në portofolin e qytetarëve dhe më shumë mundësi për bizneset e vogla.
“Nuk është thjesht një ecje – është një dëshmi e përditshme se Tirana ka zemër dhe sytë nga e ardhmja,” theksoi Tabaku, duke nënvizuar se koha për ndryshim ka ardhur dhe se qytetarët meritojnë më shumë.