Kaja Kallas, përfaqësuesja e Lartë për Politike të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, do të zhvillojë këtë të martë një vizitë zyrtare në Tiranë, në sajë të turit të vizitës në Ballkanin Perëndimor.
Ajo vjen në Tiranë pas vizitës në Malin e Zi, ku u takua me presidentin Jakov Millatoviç, kryeministrin Millojko Spajiç dhe përfaqësues të shoqërisë civile, Kallas viziton sot Tiranën.
Sot Kallas do të takohet me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, ku pritet që të mbajë edhe një konferencë të përbashkët për media me kreun e qeverisë.
Më tej takimet do të jenë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe Ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Ajo do të hapë bashkërisht Dialogun e parë BE-Shqipëri për Sigurinë dhe Mbrojtjen me ministrat Hasani dhe Vengu.
Po ashtu, Kallas do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të grantit nga Banka Evropiane për Investime dhe të marrëveshjeve të huas për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë.
Nesër zyrtarja e lartë do të ketë një ndalesë në Bosnje e Hercegovinë, ku Kallas do të zhvillojë takime me krerët e Presidencës trepalëshe, me kryetaren e Këshillit të Ministrave dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës dhe me përfaqësuesit e forcës evropiane në Bosnje, EUFOR, duke mbyllur kështu turin e saj.