TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në takim me gratë socialiste u shpreh se gratë dhe vajzat janë vlerë e shtuar e partisë, që ai drejton.

Ai mori shembullin e Bashkisë së Kamzës, e cila tha se nga një bashki e “pushtuar” nga burrat, sot është kthyer si bashki shembull falë punës dhe kontributit të vajzave dhe grave.

“Nuk duhet të pajtohemi me veten, duhet ta bëjmë në 50 mijë numrin e grave dhe vajzave në PS. Isha së fundmi në celulën elektorale të Kamzës, kur shkoj te ajo bashki, dola me energji pozitive, në radhë të parë se PS është kthyer në një vatër të madhe politike dhe organizative, ku për ata që nuk e dinë dhe e shohin nga larg duket sikur udhëheq Rakip Pasha, por në fakt tonin e japin gratë dhe vajzat. Falë afrimit, falë pranimit, falë mobilizimit në numra dhe në cilësi shembullore të grave të vajzave të Kamzës, PS ka krijuar vlerën e shtuar sociale që e ka përmbysur totalisht realitetin e zymtë të asaj zone atje, që deri dje ishte zona triumfale e kënetës. Kamza është shembull rrezatues i PS”, tha ai. Ai theksoi se edhe Bashkia e Bulqizës është transformuar falë kontributit të grave dhe vajzave të asaj zone.

“Bulqiza u transformua nga gratë”, shtoi.