PD nuk e ka dorëzuar në KQZ kontratën e lobimit 6 milionë dollarë. Kryekomisioneri Celibashi tha për mediat se raportet financiare të fushatës kanë afat për t’u dorëzuar në KQZ.

“Detyrimi për subjektet zgjedhore, përfshi në këtë rast edhe koalicionin PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, për të depozituar çdo dokument që flet mbi të ardhurat dhe shpenzimet përfundon jo më vonë se 60 ditë nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Nuk ka detyrim për këtë subjekt, por dhe për çdo subjekt tjetër që të depozitojë në KQZ në në këtë moment dokumente, të cilat tregojnë mbi të ardhurat dhe shpenzimet e tyre si subjekt zgjedhor.

Që do të thotë se nuk e kemi këtë kontratë dhe nuk kemi asnjë lloj detyrimi, tej spekulimeve që bën dikush, për t’ia kërkuar PD-së në këtë moment. Kanë moment deri në 60 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Në momentin që do ta kemi këtë kontratë do të japim dhe vlerësimin dhe gjykimin tonë për këtë dokument. Për momentin nuk kemi se çfarë themi më shumë se kaq,” u shpreh Celibashi.