Fushata e Sali Berishës si një manual i gabimeve në komunikimin politik
Nga Endrit Hora

Në një fushatë elektorale, nuk është gjithmonë programi ai që bën diferencën mes palëve në garë. Shpeshherë, janë detajet: mënyra si flet lideri, mënyra si sillet, si përgjigjet, si ndërton një narrativë për veten dhe për vendin që pretendon të qeverisë (për herë të tretë, në rastin e udhëheqësit të opozitës). Parë nga ky këndvështrim, fushata e Sali Berishës për zgjedhjet vendore të vitit 2025 po kthehet ditë pas dite, në një studim të mirëfilltë mbi atë çfarë nuk duhet bërë.
Çorodia, mungesa e koherencës dhe humbja e sensit të kohës
Gjatë javëve të fundit, shqiptarët që ndjekin fushatën por jo vetëm ata, kanë qenë dëshmitarë të një serie gafash dhe shkarjesh logjike nga ana e Berishës – që nga keqinformimi për nivelet e taksave (si ai rasti kur premtonte uljen e taksës së divitentit në 10 përqind, ndërkohë që vetë biznesmeni që kishte përballë, me pakëz habi, pakëz tension dhe padyshim, me një dozë keqardhjeje i kujtonte se taksa e dividentit tashmë është 8 përqind. Dhe Berisha prapë vazhdonte t’i premtonte që do e bënte … 8 përqind), e deri tek mungesa e një rrjedhe logjike në fjalimet përballë turmave, të cilët nuk është sekret, atë e ekzaltojnë më shumë se këdo tjetër.
Nuk është e rrallë tashmë të shohësh ndërprerje të papritura të fjalive, konfuzion në shifra dhe të dhëna me të cilat përpiqet të mbështesë argumentat, dhe harrresa të përsëritura të vetë datës së zgjedhjeve që thotë se do t’i fitojë.
Këto nuk janë thjesht lapsuse njerëzore. Janë sinjale të qarta të një fushate të çorientuar dhe të një lideri që nuk e zotëron më komunikimin publik.
Në politikë, perceptimi është realitet. Dhe kur perceptimi publik formohet mbi bazën e pasigurisë dhe hutimit që shfaq lideri, atëherë realiteti politik i humbjes bëhet i pashmangshëm.
Udhëheqësi është mesazh
Në çdo fushatë, lideri është vetë mesazhi. Dhe në rastin e Berishës, e vërteta është që mesazhi është…. i vjetruar. Një vjetërim që nuk lidhet domosdoshmërisht me moshën e vetë kryetarit të PD. Por nëse në vitin 1990 ai përfaqësonte frymën e ndryshimit dhe në 2005 erdhi si “shpëtimtar” pas lodhjes me qeverisjen socialiste, në 2025 ai vjen me një narrativë të konsumuar dhe pa koherencë me realitetin shqiptar. Mosha mbi 80 vjeç, stili konfrontues, mbushur me akuza dhe ekzagjerime në shifra, ligjërimi prej prokurori ndërkohë që vetë është nën hetim për korrupsion, dhe fakti që në të dy rastet e mëparshme është larguar nga pushteti me dështime dhe plot akuza, krijojnë një sfond që nuk bind më askënd për “ndryshim”.
“Historia ndonjëherë përsëritet, por herën e dytë si farsë,” shkruante Karl Marksi. Fushata e Berishës duket pikërisht kështu: një rikthim pa sens historik. Dhe imagjino çfarë do të kish thënë Karl Marksi për një rikthim për së treti… Do të ishte farsa e farsës.
Strategjia e munguar
Në vend që të ndërtojë një platformë të besueshme për të ardhmen, fushata e Berishës është kthyer në një shfaqje personaliteti – por një personalitet që nuk komunikon më si dikur. Edhe përpjekja për të pasur pranë Chris LaCivitën, konsulentin e trumbetuar aq shumë të fushatës së Donald Trumpit, është një përpjekje për ta “importuar” fitoren nga jashtë. Por, siç dihet nga praktika politike, këshilltarët bëjnë diferencë vetëm kur ka brumë për të formuar.
Kur vetë lideri lë përshtypjen se këshilltari është më i rëndësishëm se ai vetë, atëherë kemi të bëjmë me një boshllëk të thellë të identitetit politik. Sali Berisha e ka marrë konsulentin nga përtej oqeanit, po atij oqeani të cilin ai vetë nuk e kalon dot, për shkak se në Uashington statusi i tij vazhdon të mbetet “non grata”, me motiv korrupsionin.
Sondazhet nuk gënjejnë
Me rënien e koalicionit që ai përfaqëson me mbi 11 përqind krahasuar me 2021, në shumicën e sondazheve të besueshme, është e qartë që publiku nuk po e blen më produktin politik “made in Sali Berisha”. Qytetarët kërkojnë përgjigje për të ardhmen, jo prapakthehu drejt të shkuarës. Dhe kjo është një nga arsyet pse fushata e Berishës, pavarësisht zhurmës dhe mitingjeve, nuk po ngjall besim. Frymë nuk ka, qartësi jo e jo. Dhe mungesa e koherencës në mesazhe i vë vulën kronikës së një dështimi tashmë të paralajmëruar.
Të rinjtë nuk mund të motivohen me kujtime të 1990-ës. Sipërmarrësit nuk mund të binden nga liderë që nuk kanë haberin as për situatën e taksave. Shqipëria e vitit 2025 nuk mund të përfaqësohet nga figura të “teleportuara” nga e shkuara. Nuk është thjesht çështje moshe, por mendësie, mesazhi dhe aftësie për ta komunikuar atë.
Zakonisht njerëzit janë të prirur që të shkojnë drejt ndryshimit. Sondazhet tregojnë se ndryshim dhe rotacion nuk do të ketë. Nuk është çudi, përderisa udhëheqësi i opozitës që kërkon të marrë pushtetin, është vetë pengesa për ndryshim.