Presidenti rus, Vladimir Putin është i hapur për paqe dhe po bëhet punë intensive për ta arritur atë, por një zgjidhje nuk do të vijë aq shpejt sa dëshiron SHBA-ja, tha Kremlini.
Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se konflikti ishte aq i ndërlikuar saqë përparimi i shpejtë që dëshironte Uashingtoni do të ishte i vështirë për t’u arritur, sipas medias shtetërore ruse TASS.
Peskov tha gjithashtu se Moska duhet të “arrijë qëllimet e saj” në Ukrainë, por gjithashtu – me sa duket në kundërshtim me këtë pretendim – tha se Rusia ishte e gatshme të zhvillonte negociata të drejtpërdrejta me Ukrainën për t’i dhënë fund luftës.

Ai shtoi se çdo zgjidhje duhet të bëhet me Ukrainën dhe jo me SHBA-në, megjithëse tha se Moska është mirënjohëse ndaj administratës Trump për përpjekjet e saj për të siguruar paqen.
Kujtojmë se, sekretari i shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka thënë se Uashingtoni do të tërhiqet nga bisedimet e paqes nëse nuk arrihet përparim.