Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç, ka caktuar për 15 prill një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit , në të cilën do të zgjidhen anëtarët e Qeverisë së re serbe.

Ky njoftim u publikua në faqen zyrtare të Kuvendit të Serbisë.

Sipas Radio Televizionit të Serbisë (RTS), kandidati për kryeministër të Serbisë, Gjuro Macut, më 14 prill i ka dorëzuar Kuvendit propozimin për përbërjen e Qeverisë së Serbisë, së bashku me biografitë e anëtarëve të propozuar.

Për zëvendëskryeministër të parë dhe ministër të Financave është propozuar Sinisha Malli, i cili ka ushtruar të njëjtën detyrë edhe më herët. Ministria i Punëve të Brendshme i është besuar Ivica Daçiqit, i cili po ashtu mbetet edhe zëvendëskryeministër.

Adrijana Mesaroviç është propozuar për zëvendëskryeministre dhe ministre të Ekonomisë. Ajo e ka udhëhequr këtë resor edhe në Qeverinë e Millosh Vuçeviçit.

Sipas propozimit të dorëzuar nga Macut në Kuvendin serb, pritet që në detyrat e tyre të mbeten edhe: Bratislav Gashiç (ministër i Mbrojtjes), Marko Gjuriç (ministër i Punëve të Jashtme), Dubravka Gjedoviç Handanoviç (ministre e Minierave dhe Energjisë), Zllatibor Lonçar (ministër i Shëndetësisë), Nikolla Sellakoviç (ministër i Kulturës) dhe Millan Kërkobabiç (ministër për Kujdes ndaj Fshatit).

Për ministër të ri të Arsimit është propozuar Dejan Vuk Stankoviç, profesor në Fakultetin e Mësuesisë në Beograd.

Resori i Integrimeve Evropiane pritet t’i besohet Nemanja Staroviçit, i cili në Qeverinë e mëparshme serbe ka udhëhequr Ministrinë e Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale.

Për këtë resor në Qeverinë e re është propozuar Millica Gjurgjeviq Stamenkoviq, e cila në ekzekutivin e Millosh Vuçeviçit ishte ministre për Kujdes ndaj Familjes dhe Demografisë.

Për ministër të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave është propozuar Dragan Glamoçiq, për ministre të Mbrojtjes së Mjedisit Sara Pavkov, për ministre të Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme është propozuar Jagoda Lazareviq, për ministër të Drejtësisë Nenad Vujiq, për ministre të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale Snezhana Paunoviq, dhe për ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha.

Për ministra pa portofol janë propozuar: Novica Tonçev, Gjorgje Milkiqeviç, Usame Zukorliç, Nenad Popoviç dhe Tatjana Macura.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 6 prill ia ka besuar mandatin për formimin e Qeverisë së re endokrinologut dhe profesorit të Fakultetit të Mjekësisë në Beograd, Gjuro Macut. Vuçiq më parë ka zhvilluar konsultime me partitë parlamentare për mandatarin e Qeverisë së re, në të cilat nuk kanë marrë pjesë partitë opozitare.

Opozita ka propozuar formimin e një qeverie tranzitore, gjë që është refuzuar nga koalicioni qeverisës.

Qeveria e Serbisë është në mandat teknik që nga 19 marsi, kur deputetët në Kuvend verifikuan dorëheqjen e Vuçeviqit nga posti i kryeministrit, çka shënoi fillimin e afatit 30-ditor për zgjedhjen e Qeverisë së re.Vuçeviq dha dorëheqje pas rrahjes së një grupi studentësh nga aktivistët e Partisë Progresive Serbe që po bllokonin punën e fakulteteve në Novi Sad.

Rënia e Qeverisë së Serbisë, e udhëhequr nga Millosh Vuçeviq, ndodhi në kulmin e protestave kundër pushtetit, të udhëhequra nga studentët që nga fundi i nëntorit 2024 po bllokojnë dhjetëra fakultete në gjithë Serbinë.

Në qendër të kërkesave të tyre, të adresuara ndaj institucioneve të Serbisë, është përcaktimi i përgjegjësisë ligjore dhe politike për vdekjen e 16 personave në shembjen e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar./REL