Tiranë, 12 prill – Në një atmosferë festive, në sheshin “Skënderbej” që simbolizon besimin dhe fitoret e mëdha të përbashkëta, u çel zyrtarisht fushata elektorale e Partisë Socialiste. Drejtuese politike e Qarkut Tiranë, Ogerta Manastirliu, iu drejtua qytetarëve me një mesazh të fuqishëm për të ardhmen europiane të Shqipërisë, për vijimin e progresit dhe punëve të mëdha.
“Nga ky shesh që është sheshi i besimit dhe fitoreve të mëdha, për t’u bërë bashkë me çdo shqiptar, që tashmë e ka bërë zgjedhjen, ka zgjedhur të ecë përpara, me krenari dhe vizion europian.”
Në fjalën e saj, Manastirliu theksoi se këto 30 ditë fushatë janë ditë vendimtare për të vulosur një zgjedhje që tashmë ka nisur prej kohësh: Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian.

“Këto 30 ditë që kemi përpara nuk janë thjesht ditë fushate, janë 30 ditë vendimtare për të vulosur një zgjedhje që ka nisur prej kohësh: që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, që puna të mos ndalet, që progresi të bëhet i pakthyeshëm!”
Manastirliu vuri në pah transformimin e jashtëzakonshëm që ka pësuar Tirana falë vizionit të Kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste, duke e cilësuar kryeqytetin si një motor zhvillimi për gjithë vendin.

“Tirana është shëmbëlltyra e transformimit, e vizionit dhe punës së Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Kudo në çdo cep të Tiranës ndihet ndryshimi nga Astiri në Kombinat, nga Lapraka në Ali Demi, nga Sauku në Petrelë, nga Vora në Vaqar, nga Kashari në Zallherr, Tirana është sot motori i zhvillimit të një Shqipërie që ecën, punon dhe nuk ndalet.”
Ajo solli në vëmendje disa nga investimet më të rëndësishme që janë bërë në kryeqytet nga Piramida e kthyer në qendër teknologjike për të rinjtë, te super parku i Liqenit, shkollat dhe kopshtet e reja, lagjet moderne dhe rrugët e rehabilituara.
“Shikoni çfarë kemi bërë në Tiranë! Tirana e sotme është simboli i punës dhe transformimit.”

Duke bërë thirrje për mobilizim maksimal, Manastirliu u shpreh se çdo votë është vendimtare për të çuar deri në fund rrugën e nisur drejt Bashkimit Europian.
“Për të vijuar punët e mira, për të vijuar progresin, duhet çdo votë! Duhet çdo zemër socialiste dhe çdo qytetar që do ta shohë Shqipërinë në Europë, për të ardhmen europiane të fëmijëve tanë, të familjeve tona!”

“30 DITË për 1 ZGJEDHJE për Shqipërinë në BE, për Tiranën si model zhvillimi, për të çuar deri në fund rrugën që kemi nisur! “Rroftë Shqipëria Europiane. Fitore, Fitore, Fitore!”, ishte mesazhi i Manastirliut, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve të mbështesin PS dhe Edi Ramën me votën për numrin 5 në fletën e votimit.