Tek Lacio shkëlqeu si pak të tjerë, por Lombardia qenka tjetër. Igli Tare gjithsesi nuk ka dalë nga gara për t’u emëruar drejtor sportiv i Milanit, ndonëse kjo “telenovelë” po zgjat ndoshta përfundon vetëm në maj.
Gjithsesi, e përditshmja kryesore sportive në Itali, “La Gazeta delo Sport”, shkruan se shqiptari është kandidat I fortë dhe se kjo javë do të jetë shumë e rëndësishme për caktimin e drejtorit.
Fillimisht, favorit për detyrën ishte ish-drejtori i Juventusit, Fabio Paratici, por mediat italiane thonë se për të nuk pati “tym të bardhë”. Tashmë, në garë thuhet se janë tre, Tare, D’Amiko dhe Mana.
Shqiptari qenka takuar në Londër me dy nga drejtuesit kuqezinj, pronarin dhe anëtarin e bordit, Xherri Kardinale, dhe këshilltarin e klubit, Zllatan Ibrahimoviç.
Me administratorin e deleguar, Xhorxho Furlani ka folur në telefon, por logjika ta do që të takohet këto ditë. Tare vlerësohet përvojën e gjatë si drejtor sportiv, pasi punoi për shumë vite tek Lacio.
Në 2008-2009, ish-kapiteni kuqezi ishte menaxher I skuadrës, ndërsa nga 2009 deri në qershor 2023 ishte drejtor sportiv, duke u cilësuar si një nga më të mirët në profesion, që arriti goditje të rëndësishme dhe ndihmoi Lacion të fitonte trofe pa shpenzime të mëdha.
Gjatë kohës që ai ishte në drejtim, skuadra kryeqytetase e Italisë fitoi dy herë Kupën e Italisë dhe tri herë Superkupën, duke u shpallur edhe nënkampione e Serisë A në 2023. Po ashtu, Lacio u kthye në Champions në 2015 dhe mori pjesë tri herë në fazën e grupeve.