Një tubim i serbëve të diasporës që mbështesin kërkesat e studentëve në Serbi filloi në orët e para të pasdites të martën në Sheshin Kleber në Strasburg.
Atyre iu bashkuan një numër i madh i bashkëmendimtarëve nga Serbia, të cilët mirëpritën studentët çiklistë nga Beogradi, të cilët protestojnë prej muajsh dhe synojnë të bëjnë xhiron e institucioneve evropiane si Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian në Strasburg.
Për studentët ishin përgatitur dhe stenda të shumta me ushqime e pije për çiklistët që kanë kaluar një rrugë shumë të gjatë nga Serbia në Strasburg. Për mbajtjen e rendit kujdeseshin organizatorët, kryesisht vetë studentët, dhe njerëzit e mbledhur aty në shenjë mbështetjeje. Nga larg gjendjen e monitoronin dy grupe më të vogla policësh francezë.
Rreth orës 17:00, të mërkurën mbërritën çiklistë të shumtë nga vende të ndryshme në sheshin kryesor. Atje u mblodhën shumë njerëz në shenjë mbështetjeje të studentëve, nga vende të ndryshme perëndimore. Midis tyre kishte dhe grupe të vogla, të ardhura nga Danimarka e Zvicra, e kishte çiklistë edhe nga Holanda, Gjermania dhe vende të tjera.
Një vijë kufizuese të çonte drejt skenës kryesore në shesh, kështu që çiklistët parakalonin nëpër një rrugë ku nga të dy anët ishin mbledhur njerëzit me shumë pankarata dhe flamuj. Sa i përket flamujve, organizatorët kërkuan që të valëviteshin vetëm flamujt e Serbisë dhe të fakulteteve apo qyteteve – asnjë tjetër nuk lejohej.
Të gjithë të pranishmit silleshin sikur këto të ishin demonstrata për diçka, jo kundër dikujt a diçkaje, megjithëse kishte shumë pankarta të vogla me variacione të ndryshme të shprehjes “Ko se lača mati” (ky është aludim për gabimet gjuhësore të kryeparlamentares serbe, Ana Brnabiq, e cila donte të thoshte: “Ko se mača lati”, që në shqip do të thotë se “Ai që kap shpatën, nga shpata edhe vdes”). Nuk u dëgjua asnjë protestë kundër qeverisë aktuale serbe. Këto ishin demonstrata të shënuara me thirrje pozitive, jo negative. Ishin demonstrata për të shprehur pozitivitet e admirim e jo zemërim.
Për më tepër, ishte gjithashtu një pritje e madhe e përbashkët – për studentët me biçikleta që kishin udhëtuar 1.400 kilometra nëpër Evropë, për të tërhequr vëmendjen e institucioneve evropiane për nevojat e ndryshimeve në Serbi, si dhe për protestat që po mbahen me muaj të tërë atje. Ata janë të bindur se askush nuk mund t’i quajë të parëndësishme protestat më të mëdha që po mbahen në historinë moderne në Serbi.
“Tour to Strasburg” përfundoi me hyrjen e studentëve të parë çiklistë në sheshin Kleber në orën 20:40. Ajo u shoqërua me përshëndetje të fuqishme, me fishkëllima të furishme borish, me rrahje daullesh, këngë dhe drita nga celularët.
Në fund, çiklistët u përzien me turmën dhe në fund secili prej tyre u ftua individualisht në skenë, u prezantua para publikut dhe simbolikisht u shpërblye me një medalje. Këto medalje më pas iu ndanë edhe atyre që kishin ardhur me biçikleta nga diaspora, për të mbështetur studentët.
Tubimi i mbushur me emocione të forta përfundoi me studentet që u bënin thirrje të pranishmëve që të mos lënë mbeturina pas vete. Ata ndihmuan studentët që të pastrojnë sheshin pas tubimit. Tani ata do të vizitojnë institucionet evropiane, në radhë të parë Këshillin e Evropës dhe Parlamentin Evropian, ku do të dërgojnë mesazhet e tyre.