Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti pohoi se fushata elektorale për gratë është më e vështirë.

Në një lidhje me Edicionin Qendror të Lajmeve të orës 19:00 në Televizionin Kombëtar Vizion Plus të moderuar nga Aleksandër Furxhi, Gjylameti tregoi theksin e fushatës së PS në terren.

Ajo renditi tematikat dhe prioritetet e programit, si pensionet, çështjet e punës, bonusin e bebeve.

Intervista e plotë:

Kandidatet gra thonë se një grua e ka të vështirë të zhvillojë fushatë elektorale. A jeni dakord ju, dhe pse?

Gjylameti: Nuk ka asnjë lloj gare të lehtë. Të gjitha garat janë të vështira, por kur bëhet fjalë për një grua, është pak më e vështirë. Të gjithë jemi dakord se politika është parë gjithmonë si domeni i burrave dhe po ashtu edhe kontaktet, mënyra se si mund të ndërhysh tek njerëzit, është pak më e vështirë për gratë. Por, unë mendoj se më e rëndësishme në këtë garë mes nesh është ajo për të marrë mandatin e katërt të PS.

Ju jeni në njësinë 4, çfarë është theksi i fushatës? Cilat janë temat e fushatës?

Gjylameti: Kemi një sërë prioritetesh të programit që lidhen me reformat e pesioneve, për ata që kanë dalë në pension apo edhe për ata që do dalin. Duke riparuar gjithë problematikat që ka sjellë shumë vite tranzicioni dhe politikat jo të duhura sa i përket çështjes së tregut të punës. Diskutojmë për familjet, çështjet e familjeve, për bonusin e bebeve, etj. Sa i përket njësisë 4, ne kemi një nga komunitetet më të mëdha rom dhe egjiptian. Po ashtu, vazhdojmë në fazën e dytë në zonën e 5 Majit për banesa të reja nga rasti i tërmetit.

Çfarë i thoni ju qytetarëve kur ju thonë se këto premtime, tematika janë të njëjta çdo fushatë?

Gjylameti: Unë jam në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët. Jam një nga ato që mund të dëshmojë transformimin rrënjësor në këtë ndjesi. Ndryshe nga ata që premtojnë e nuk i zbatojnë, ne kemi një element tjetër. Bëjmë punët konkrete.

/vizionplus.tv