Tre astronautë kinezë u kthyen në Tokë të mërkurën pas gjashtë muajsh në stacionin hapësinor të Kinës. Moduli i uljes së ekuipazhit zbriti ngadalë pasi u nda nga mjeti i kthimit, duke zbritur me një parashutë të kuqe e të bardhë, në Dongfeng, në rajonin verior të Mongolisë së Brendshme të Kinës në buzë të Shkretëtirës Gobi. Kthimi i tyre ishte vonuar me një ditë për shkak të erërave të forta dhe dukshmërisë së ulët. Zona është e prirur ndaj stuhive të rërës në këtë kohë të vitit.

Astronautët, Cai Xuzhe, Song Lingdong dhe Wang Haoze, u nisën për në stacionin hapësinor Tiangong në tetor dhe të martën ia dorëzuan kontrollin e stacionit ekuipazhit të ri që mbërriti së fundmi për t’i zëvendësuar ata.

Shenzhou 20 që solli ekuipazhin e ri mbante gjithashtu pajisje për shkencat e jetës në hapësirë, fizikën e mikrogravitetit dhe teknologji të re për stacionin hapësinor.

Stacioni hapësinor Tiangong, ose “Pallati Qiellor”, e ka bërë Kinën një lojtare të rëndësishme në një epokë të re të eksplorimit të hapësirës dhe përdorimit të stacioneve të përhershme për të kryer eksperimente në hapësirë, veçanërisht pasi u ndërtua tërësisht nga kinezët pasi vendi u përjashtua nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Programi hapësinor i Kinës kontrollohet nga Ushtria Çlirimtare Popullore, dega ushtarake e Partisë Komuniste në pushtet.