Partia Demokratike dhe aleatët e saj prezantuan sot në Kavajë kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Sali Berisha mblodhi mbështetësit e tij jo në një shesh të hapur, por në një rrugicë mes pallateve, ku dalloheshin vetëm qindra simpatizantë.

Në këtë takim ka pasur edhe përfaqësues të partive popullore europiane, simotra të PD-së në Europë, por edhe deri nga Venezuela.
Mes tyre ishte edhe Elmar Brook, miku personal i Sali Berishës, i cili mbajti fjalim elektoral pro PD-së dhe u shpreh se ashtu sikurse nxorën në pension homologun e kryeministrit shqiptar, ashtu më 11 maj shqiptarët do nxjerrin në pension edhe Edi Ramën.
“Berisha e ka çuar vendin tuaj drejt një të ardhme me të mirë, e ka anëtarësuar në NATO. Tani është koha që t’i jepet shansi i tretë Berishës. Atë që bëtë më 1990, bëjeni përsëri”, tha ai mes të tjerash.
Pas fjalimeve hapëse nga të ftuarit nga partitë e djathta, foli kreu politik i PD-së, kryebashkiaku i Kavajës Fisnik Qosja, i cili tha se “po ndezim një zjarr shprese”.
Teksa prezantonte kandidatët, Qosja përmendi edhe emrin e kandidatit Elton Roshi, kushëririt të ish-kryebashkiakut socialist Elvis Roshi, i cili u prit me ovacione nga të pranishmit.
“Qeveria e ka braktisur Kavajën, mungesë investimesh dhe projektesh, rrënim i arsimit dhe dhëndetësisë dhe varfëri ekstreme. Fjalë dhe vetëm fjalë nga qeveria. Kavaja ka humbur gati gjysmën e nxënësve, një tragjedi. Ka shumë për të thënë për këtë qeveri. Kjo quhet ikje, plakje, vdekje”, tha Qosja mes të tjerash.
Berisha mbajti një fjalë hyrëse të gjatë me falenderime për miqtë e tij nga PPE-të dhe Venezuela, duke thënë se ashtu si në vitin 2005 me vizitën e tyre, do jenë shenjë e fitores edhe më 11 maj.
“Përshëndes mikun tim Elmar Brook, mikun historik të shqiptarëve, që na ka mbështetur dhe na mbështet në këtë betejë tonën për triumfin ndaj diktaturës dhe neodiktaturës në Shqipëri. Prania e tyre si në 2005 lajmëron fitoren tonë historike edhe më 2005-ën.
Falenderojmë mbështetjen e opozitarëve nga venezuela, që luftojnë prej vitesh me diktaturën e Maduros. Sot Ramën në Velipojë e shoqronte Pëllumb Gjoka, McGonigal, Sajmir Tahiri, Lefter Koka e të tjerë, një bandë e vërtetë e shoqëronte”, tha Berisha në fjalën e tij, teksa ua ngatërroi disa herë emrat dhe pozicionet në parti këtyre miqve të ftuar.