Takimi i radhës elektoral i drejtuesit politik të Partisë Socialsite, Bledi Çuçi, ishte me banorë të komunitetit rom dhe egjiptian në Vlorë. I shoqëruar nga kandidatja për deputete, Ina Majko, e cila vjen nga radhët e komunitetit rom, Çuçi kërkoi mbështetje me votë në zgjedhjet e 11 majit.

Teksa vlerësoi kandidaturën e Ina Majkos, ai tregoi arsyet përse zgjodhi pikërisht atë mes shumë aplikantëve të tjerë në platformën “Deputeti që Duam”.

“Nëse ne kemi të tjerët kemi pasur barriera në jetë, Ina ka pasur mure. Ajo ka ditur t’i kapërcejë këto mure, por duke ruajtur integritetin e saj personal. Ajo ka një CV të pasur dhe një profil të spikatur”, tha Çuçi duke treguar më tej edhe reagimin e kryeministrit Rama kur i propozoi Ina Majkon.

“Po, është një zgjedhje befasuese për të mirë”, citoi Çuçi- Ramën.

“Komuniteti rom dhe egjiptian në qarkun Vlorë, por edhe të gjithë qytetarët, duhet ta kenë për nder që t’i japin votën Ina Majkos. Ajo është një kandidaturë që nderon jo vetëm komunitetin tuaj, por nderon gjithë qarkun Vlorë dhe Partinë Socialiste me personalitetin e saj”, tha Çuçi.

Ai rikonfirmoi edhe njëherë atë që është thënë publikisht prej kryeministrit Edi Rama, se nëse Ina Majko nuk arrin dot të zgjidhet deputete, do të jetë pjesë e qeverisë së re të Partisë Socialiste pas zgjedhjeve të 11 majit.