Është momenti i tyre. Futbollistët e River Plejtit arritën një tjetër fitore në derbin e Buenos Airesit ndaj Boka Zhuniorsit.
Sfida e vlefshme për kampionatin argjentinas I takoi vendasve që triumfuan 2-1 në stadiumin “Monumental” të kryeqytetit, dhe ishte një ditë historike. Me 85 018 spektatorë në tribuna, u vendos rekordi I ri I publikut jo vetëm në këtë impiant, por edhe në të gjithë historinë e duelit të quajtur “Superklasiko”.

Franko Mastantuono kaloi bardhekuqtë në epërsi në 25’, por papritur miqtë barazuan në 38’ kur shënoi Migel Merentiel.
Sidoqoftë, brenda pjesës së parë fati u vendos pasi Sebastian Driusi realizoi në 44’ për 2-1. Superklasikja është një nga derbet me rivalitetin më të madh dhe më të ekulibruar në botë, pak a shumë si një Real-Barcelona.

Boka kryeson me 91 fitore gjithsej ndaj 89 të Riverit, ndërsa në kampionat shifrat janë 77 fitore me 74, gjithnjë në favor të ish-ekipit të Diego Armando Maradonës.
Sidoqoftë, me 4 fitore në 6 përballjet e fundit, River po I afrohet barazpeshës.
Me këtë sukses, River Plejti u ngjit në vendin e tretë në Grupin B të Turneut Apertura, ndërsa Boka pavarësisht humbjes mbetet në krye të grupit A pas 15 javësh.