Vlerat nuk ia hedh poshtë askush. Antonio Rydiger padyshim është një nga lojtarët më të fortë dhe më emblematikë të Realt edhe këtë sezon, siç e ka treguar në Kupën e Mbretit, në Champions dhe kudo tjetër.
Gjithsesi, mbrojtësi i Gjermanisë nuk është thjesht një talent I spikatur, por edhe një personalitet që shpesh bëhet merkurial.

Shpërthimi i tij i fundit, që krijoi polemika dhe që rrezikon ta paguajë shtrenjtë, ishte në fund të finales së Kupës ndaj Barcelonës, që madrilenët e humbën 2-3.
Nuk mjaftoi reagimi dhe ofendimi I gjyqtarit De Burgos Bengoeçea, por pasi mori kartonin e kuq, 32-vjeçar mezi u arrit të ndalohej nga shokët dhe nga stafi.

Nëse nuk do ta kishin penguar, Rydiger do ta kishte goditur arbitrin me qese akulli, nga ato që përdoren për të ftohur pjesët e dëmtuara të trupit apo të gjymtyrëve të futbollistëve. Gjithsesi, ai e lëshoi këtë send të fortë kundër De Burgosit. Natyrisht, e gjitha kjo nuk do të kalojë pa pasoja.

Media spanjolle, “Kadena Ser”, së cilës I bën jehonë “goal.com”, shkruan se gjermani rrezikon nga 4 deri në 12 ndeshje pezullim, që do të thotë se mund ta ketë mbyllur sezonin. E përditshmja e shquar franceze, “L’Ekip”, në një editorial të gazetarit të saj Antuan Simonó, e quan Realin një ekip të lojtarëve të llastuar dhe pyet: Mos vallë Madridi e ka humbur kontrollin?

Nuk harrohet lehtë festimi I turpshëm që Rydiger bëri pasi shënoi penalltinë vendimtare në kualifikimin në çerekfinale kundër Atletikos në “Uanda Metropolitano”.
Për këtë festim, ai ia hodhi lehtë, vetëm me një gjobë prej 30 000 eurosh, dhe me një ndeshje pezullim të mbetur pezull, po ashtu si Kilian Mbape, që gjithashtu kremtoi në mënyrë aspak dinjitoze.

Ia vlen të kujtohet vrapimi krejt turpërues që Rydiger bëri në ndeshjen ndaj Japonisë, si për të tallur një lojtar kundërshtar, ndonëse në fund skuadra nga Azia e Largme e mori hakun duke fituar 2-1 ndaj katër herë kampionëve të botës.