Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka marrë vendim për t’i pezulluar pagesat nga buxheti në të gjitha nivelet në Bosnje për Aleancën e Socialdemokratëve të Pavarur, e cila udhëhiqet nga Milorad Dodiku, dhe për partinë politike Srpska e Bashkuar, e cila është partnere në koalicion me partinë e Dodikut në entitetin Republika Srpska.

Duke folur në Sarajevë, Schmidt tha të enjten se pezullimi i financimit vlen për buxhetet në të gjitha nivelet – nga ai shtetëror, i entiteteve deri te ai komunal – duke theksuar se “veprimet kundër Marrëveshjes së Dejtonit kanë pasoja dhe se ai do ta rishqyrtojë vendimin e tij pasi ato të ndalen”.

“Të gjitha fondet për këto parti, në të gjitha nivelet e pushtetit, do të pezullohen dhe do të ridrejtohen në një llogari të veçantë në Bankën Qendrore të BeH,” tha Schmidt.

Përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje ka kompetenca, të cilat janë konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për të imponuar ligje dhe për të shkarkuar zyrtarë.

Ai gjithashtu e ka ndryshuar Kodin Penal të Bosnjës dhe ka përcaktuar që vendimet e tij janë të detyrueshme.

Dodik, së bashku me kryetarin e Kuvendit të RS-së dhe liderin e partisë Srpska e Bashkuar, Nenad Stevandiç, si dhe me kryeministrin e RS-së, Radovan Vishkoviç, dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues, në një hetim që Prokuroria e Bosnjës po e zhvillon që nga fundi i vitit të kaluar.
Në mars u lëshuan fletarrestime qendrore ndaj tyre, pasi ata nuk iu përgjigjën ftesës për t’u marrë në pyetje.

Kjo do të thotë që secila nga gjithsej 16 agjencitë policore në të gjitha nivelet e pushtetit në Bosnje duhet t’i arrestojë ata, gjë që deri më sot nuk është bërë.