Ndoshta do ta arrijë kulmin e karrierës. Të jesh drejtor sportiv tek Milani, do të thotë të ulesh në tryezën e tre të mëdhenjve të Italisë, baraz me Juventusin e Interin, dhe ky shans po afrohet gjithnjë e më shumë për Igli Taren.
Pas takimit të parë me administratorin e deleguar të klubit, Furlani, pritet edhe i dyti, që do të ishte përfundimtari.
Objektivi I parë I lombardëve ishte Toni D’Amiko, drejtori sportiv i Atalantës, ndërsa më parë dështoi përpjekja për të marrë Fabio Paratiçin, ish-drejtuesin e Juventusit.
E qartë që situata e sotme tek Milani nuk krijon shumë optimizëm. Gjithsesi, Tare cilësohet favorit, edhe pse ende asgjë nuk është vendosur, ndërsa ish-kapiteni kuqezi do të sillte përvojën 15-vjeçare të krijuar tek Lacio, ku arriti jo pak suksese me buxhet jo të madh.
Sipas mediave pranë tifozëve, ish-drejtori sportiv lacial jo vetëm që ka hedhur idenë e trajnerëve si Alegri apo Italiano, por edhe ka piketuar afrimin e parë të verës në skuadër.
Flitet për sulmuesin 24-vjeçar të Maincit, Xhonatan Burkhart. Futbollisti është një nga zbulimet e sezonit në Bundesligë, me 15 gola e dy asistë në 25 ndeshje, I cili ka luajtur edhe tri ndeshje me kombëtaren e Gjermanisë.