Po i ngjan personazhit të filmit të njohur të Hollivudit. Kristian Asllani vuan me fanelën zikaltër sa herë që tensioni rritet, dhe ndeshjet bëhen tepër të rëndësishme. I ka ndodhur disa herë në derbet ndaj Milanit, apo në sfida të tjera, ndërsa e përditshmja e njohur italiane, “Il Korriere delo Sport” duket se I ofron një rrugë shpëtimi.
Interi pritet që ta transferojë mesfushorin e kombëtares shqiptare këtë verë, bashkë me të tjerë si Davide Fratezin, sulmuesin Arnautoviç apo mbrojtësin Bisek, dhe të rinovojë skuadrën.

Më shumë sesa një dënim, ky mund të jetë një shpëtim për 23-vjeçarin I cili u afrua në klubin lombard me shpresa të mëdha, por nuk arriti kurrë që ta siguronte as rolin e titullarit, dhe as vendin e sigurt në skuadër në tërësi.

Më parë ishte zëvendësi I kroatit Brozoviç, tani I turkut Çalhanoglu, por duke mos arritur ta bëjë punën e tyre. Analizat e specialistëve dhe të mediave në Itali komentojnë se Asllani ndjen presionin, ndoshta i duket e rëndë një fanelë aq e madhe sa ajo zikaltër, e një klubi tani praktikisht 21 herë kampion i vendit, tri herë fitues i Championsit dhe i vetmi ekip që nuk ka rënë kurrë nga Seria A.

Në tre sezone në “San Siro” ka luajtur gjithsej 91 ndeshje, por me minutazh të kufizuar, ndërsa ka shënuar dy gola e ka shërbyer katër asistë. Ky lojtar nuk ngjan edhe aq me atë që shkëlqente në moshën 19-vjeçare tek Empoli, dhe u bë pikërisht një gol i shënuar në fushën e Interit që bindi përfundimisht klubin zikaltër për ta marrë. Ndoshta një kalim në një skuadër pak më të vogël të Serisë A mund ta shpëtonte karrierën e Kristian Asllanit.