Dy javë nga fushata elektorale e 11 majit, Instituti Piepoli në bashkëpunim me Report Tv sjell ‘projeksionet’ e para se si ndahen 37 mandatet për qarkun e Tiranës, fushëbeteja kryesore mes partive politike, por edhe qarkun e Shkodrës, bastionin e së djathtës.

Sondazhi i Piepolit parashikon se PS do mbajë epërsinë në Qarkun e Tiranës, me 47-49% të votave, që i përkthehet në 18 deri në 19 mandate. Kryesocialsiti Edi Rama parashikohet që mund të marrë 1 mandat më shumë krahasuar me zgjedhjet e 2021, kur siguroi 18 mandate në kryeqytet.

Shifrat nuk janë të mira për koalicion e Sali Berishës, që dukshëm kërcënohet nga partitë e reja. Sipas sondazhit të Piepolit, Aleanca për Shqipërinë Madhështore më 11 maj mund të humbë deri në 4 mandate në qarkun e Tiranës. Nga 17 mandate që opozita e bashkuar ka marrë në 2021, më 11 maj koalicioni i Berishës sipas shifrave të Piepolit merr 33.5% deri në 35.5% të votave në këtë qark, që i përkthehet 13 deri në 14 mandate.

Në kryeqytet surpriza mund të konsiderohen Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj, të cilët kalojnë pragun elektoral dhe në qarkun e Tiranës arrijnë të sigurojnë deputetë. Lapaj me koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” sipas sondazhit të Piepolit merr 7.5% deri në 8.5% të votave, që përkthehet në 2-3 mandate, ndërsa partia “Mundësia” e Shehajt merr 5% deri në 6% të votave, që përkon me 1-2 mandate.

Tom Doshi humb mandatin në Tiranë të siguruar në vitin 2021. Partitë e tjera, si Lëvizja “Bashkë” e Arlind Qorit, apo Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës apo koalicioni “Djathtas për Zhvillim” nuk arrijnë të marrin asnjë mandat në këtë qark.

Beteja bëhet edhe më e fortë në Qarkun e Shkodrës, bastion i së djathtës, por që për herë të parë socialistët e thyen në zgjedhjet vendore të 2023, duke vendosur në krye Benet Becin. Në kryeqendrën e veriut, forcë e parë mbetet Sali Berisha me koalicionin e tij, por pozitat e tij kërcënohen. Kjo, pasi sondazhi i Piepolit tregon një rritje të PS dhe në këtë qark Edi Rama merr mbështetje me votë nga 34% deri në 36%, çka përkthehet 3 deri në 5 mandate. Sipas shifrave nuk përjashtohet mundësia që PS të rritet me 2 mandate më shumë në këtë qark, nga 3 që ka fituar në zgjedhjet e 2021.

Koalicioni PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore rezulton me një mbështetje që varion nga 42.5% deri në 44.5% të votave, duke siguruar 4 deri në 6 mandate. Në zgjedhjet e 2021, PD ka siguruar në këtë qark 6 mandate, ndërsa 3 i ka marrë PS dhe 2 të tjera PSD e Tom Doshit. Edhe pozitat e këtij të fundit në këto zgjedhje duket se kërcënohen, pasi shifrat tregojnë se merr 8-9% të votave, që përkthehet deri në 2 mandate. Por në ‘lojë’ në këtë qark është edhe Adriatik Lapaj që sipas sondazhit të Piepolit mund të marrë 6%-7% të votave, me mundësi për të siguruar deri në 2 mandate.
Mbetet të shihet se si do ndahen 11 mandatet e Qarkut të Shkodrës, por një gjë është e sigurt, që Berishës po rrezikohen pozitat pikërisht në bastionin e tij historik.
Sa i takon punës së qeverisë, 42% e qytetarëve të Tiranës janë të kënaqur, krahasuar me 26% të qytetarëve në Qarkun e Shkodrës. Berisha nga ana tjetër merr shuplakë në bastionin e tij, ku 61% e qytetarëve nuk kanë besim tek opozita e udhëhequr nga ai dhe nga ana tjetër, besim nuk kanë as 64% e qytetarëve të qarkut të Tiranës. As partitë e reja nuk janë frymëzuese, 64% e qytetarëve të qarkut të Tiranës thonë se nuk kanë besim tek partitë e reja, ndërsa 65% e qytetarëve të Shkodrës nuk kanë po ashtu besim.
Sondazhi i pestë i institutit Piepoli, i zhvilluar nga 18-22 prillit tregon se qytetarët e Tiranës i besojnë më shumë Edi Ramës si kandidat për kryeministër (42%), ndërsa Shkodra preferon Sali Berishën (38%).