Tri humbje radhazi dhe asnjë gol i shënuar. Kjo është pasqyra e momentit aktual të Interit. Një periudhë e vështirë jo vetëm në aspektin fizik e teknik, por edhe në qëndrueshmërinë mendore të grupit zikaltër në prag të një fund-sezoni shumë të tensionuar.
Duke parë shifrat, një krizë e tillë në “Pinetina” nuk shihej që nga shkurti i vitit 2012. Me sfidën e dyfishtë gjysmëfinale ndaj Barcelonës në Champions, që po afron, kjo statistikë i shqetëson shumë tifozët zikaltër.

Përballë një Rome të organizuar mirë, skuadra e Inzaghit gaboi në të gjitha repartet. Loja ishte e ngadaltë, zikaltrit ranë pre e lëvizjeve taktike të Ranierit (3-5-2 me Soulé si anësor i djathtë) dhe shfaqën çarje të rrezikshme si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese.
Me energji të ulëta, pa ide të qarta në mesfushë dhe pa shtytje nga krahët, Interi mbajti topin me ndërprerje, por për pjesën më të madhe të ndeshjes lëvizi në një ritëm të ngadaltë, duke u përpjekur të ndryshonte rrjedhën e lojës vetëm në fund.
Pa agresivitet në topat e dytë, pa shpërthime dhe ndryshim ritmi, pa qartësi dhe cilësi në kombinime, forca shtytëse e zikaltërve rezultoi e çrregullt dhe nuk arriti të përmirësonte qarkullimin e topit apo të thyente mbrojtjen e mirëorganizuar të Romës.
Ky problem pasqyron vështirësitë që Interi i ka shfaqur në javët e fundit dhe, në funksion të Champions-it, ngre shumë pikëpyetje mbi formën e disa lojtarëve, plus alternativat taktike të Inzaghit. Duke nisur nga mbrojtja, mungesa e Bastonit ndjehet shumë.
Carlos Augusto, i përshtatur si mbrojtës i brendshëm, bën ç’të mundet, por pa mbështetje të duhur nga krahu dhe mesfusha, vështirë të qëndrojë në nivelin e kërkuar. E njëjta gjë vlen edhe për qendrën e mesfushës.
Barella dhe Calhanoglu ishin të lodhur, ndaj nuk arritën të rikuperonin topa shpejt, duke humbur rendimentin në organizimin e lojës. Frattesi gjithashtu zhgënjeu, duke mos arritur të zëvendësojë si duhet Mkhitaryan dhe vuajtur shumë në duelet një kundër një me Kone, në formë të shkëlqyer.
Sa iu përket krahëve, Dimarco dhe Dumfries, i sapokthyer nga dëmtimi, nuk ishin mjaftueshëm të paparashikueshëm apo vendimtarë në duelet një kundër një dhe në bashkëpunimin me sulmuesit. Kjo ia komplikoi edhe më shumë punët Lautaros, që u duk i lodhur, i pasaktë dhe shpesh i detyruar të luante shumë larg portës.
Pa Thuram për të hapur hapësira dhe sulmuar thellësinë, “Toro” e ka shumë të vështirë të depërtojë në qendër i vetëm dhe të gjejë një partner efikas mes bashkëlojtarëve të sulmit. Kjo çon në një mbipopullim të zonës së kundërshtarit dhe shton presionin, por nuk sjell rrezik real në kohën e duhur, duke e bërë manovrën të paefektshme dhe të parashikueshme.
Të gjitha këto probleme duhet të zgjidhen shpejt, për të mos e përfunduar sezonin në mënyrën më të keqe, pas ëndrrës për tripletën. Pas eliminimit në Kupën e Italisë nga Milani dhe humbjeve ndaj Bologna e Romës, Interi tani është tri pikë prapa Napolit në kampionat, kur kanë mbetur edhe katër javë (ndeshje).
Për të mos e mbyllur sezonin duarbosh, duhet patjetër ringritja kundër Barcelonës. Përndryshe, një vit që premtoi shumë mund të përfundojë për Inzaghin me vetëm hije zhgënjimi në duar.