Administrata Trump ka shkarkuar bashkëshortin e Kamala Harris nga bordi i drejtorëve të Muzeut të Holokaustit.
Doug Emhoff, bashkëshorti i ish-zëvendëspresidentes së SHBA-ve dhe kandidates demokrate në zgjedhjet e fundit presidenciale, është shkarkuar së bashku me anëtarë të tjerë të Këshillit Përkujtimor të Holokaustit të SHBA-ve, të emëruar nga Joe Biden.

Emhoff e përshkroi këtë veprim si një vendim politik që e shndërroi “një nga mizoritë më të këqija në histori në një çështje përçarëse”. Ai tha gjithashtu se u informua të martën për shkarkimin e tij nga bordi i drejtorëve që mbikëqyr Muzeun Memorial të Holokaustit në SHBA dhe përkujtime të tjera të Holokaustit.

“Dua të jem i qartë: Përkujtimi dhe edukimi i Holokaustit nuk duhet të politizohen kurrë”, tha ai në një deklaratë. “Shndërrimi i një prej mizorive më të këqija në histori në një çështje përçarëse është i rrezikshëm dhe çnderon kujtimin e gjashtë milionë hebrenjve të vrarë nga nazistët, për të cilin ky muze u krijua”.

Emhoff, i cili është hebre dhe ka udhëhequr përpjekjet e administratës Biden për të luftuar antisemitizmin, tha se do të vazhdojë të flasë hapur, të edukojë dhe të luftojë urrejtjen në të gjitha format e saj, sepse heshtja nuk është kurrë një opsion.

“Asnjë vendim politik përçarës nuk do ta lëkundë kurrë angazhimin tim për përkujtimin dhe edukimin e Holokaustit ose për të luftuar urrejtjen dhe antisemitizmin”, përfundoi ai.