Pas një takimi me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski, Presidenti i SHBA-së Donald Trump nisi të përdorë papritmas një ton më të ashpër ndaj Presidentit rus Vladimir Putin. Në platformën e tij online Truth Social, Trumpi madje e kërcënoi Rusinë me sanksione.
Sulmet e fundit të raketave ruse mbi zonat civile në Ukrainë e bënë atë të besonte se shefi i Kremlinit nuk ishte i interesuar t’i jepte fund luftës. Trump shkroi se po vdesin shumë njerëz dhe “kjo më bën të mendoj se ndoshta ai nuk dëshiron fare ta përfundojë luftën, por thjesht dëshiron të më mbajë zvarrë mua. Po ashtu ndaj tij duhet vepruar ndryshe p.sh. në ‘sektorin bankar’ apo me ‘sanksione dytësore’?”

Zelenski: Takim simbolik
Trumpi dhe Zelenski u takuan në Romë gjatë ceremonive mortore për Papa Françeskun. Shtëpia e Bardhë e quajti takimin si “shumë produktiv”. Edhe Zelenski e quajti takimin simbolik dhe u shpreh pozitivisht pas tij.
“Ne patëm mundësi të diskutonim kokë më kokë. Shpresojmë për një rezultat nga gjërat që diskutuam.” Këto përfshinin mbrojtjen e jetës së popullsisë ukrainase, “një armëpushim të plotë dhe pa kushte” dhe “një paqe të besueshme dhe të qëndrueshme”.
Biseda thuhet se kishte zgjatur rreth 15 minuta. Presidenti ukrainas kishte njoftuar më parë në një videomesazh se do të zhvillonte në Romë edhe disa takime që kanë si synim të çojnë në armëpushim.