Pas mbledhjes së Kolegjit të Kardinalëve, Vatikani ka bërë të ditur se ceremonia e varrimit të Atit të Shenjtë do të zhvillohet ditën e shtunë, më 27 prill 2025, në orën 9:00 të mëngjesit, në Sheshin e Shën Pjetrit.

Ceremonia do të udhëhiqet nga Dekani i Kolegjit të Kardinalëve dhe pritet të marrin pjesë dhjetëra liderë shtetesh, përfaqësues të kishave të tjera, si dhe mijëra besimtarë nga e gjithë bota që do të mblidhen në Vatikan për t’i dhënë lamtumirën Papës.

Varrimi do të shënojë fillimin e periudhës tradicionale të nëntë ditëve zie, të njohura si novemdiales. Gjatë kësaj kohe, në Vatikan dhe në kishat katolike anembanë botës do të zhvillohen meshë përkujtimore, lutje dhe reflektime shpirtërore në nder të jetës dhe shërbimit të Papës. Trupi i Papës, siç është tradita, është vendosur për homazhe në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku besimtarët kanë pasur mundësinë të bëjnë nderimet e fundit ditët e fundit.

Pas përfundimit të periudhës së zisë, do të nisë procesi për zgjedhjen e Papës së ri. Ky proces quhet konklav, ku kardinalët nga mbarë bota do të mblidhen në Kapelën Sistine për të votuar për pasardhësin e Atit të Shenjtë.