RUSI- Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka shpallur një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë. Ky vendim është marrë për të shënuar 80-vjetorin e “Ditës së Fitores”, ditë të cilën ish-Bashkimi Sovjetik triumfoi në Luftën e Dytë Botërore ndaj Gjermanisë naziste. Moska tha se armëpushimi 72 orësh do të zgjasë nga fillimi i 8 majit deri në fund të 10 majit dhe Rusia i bëri thirrje Ukrainës të bashkohet gjithashtu me të.

“Rusia beson se pala ukrainase duhet të ndjekë këtë shembull”, tha Kremlini.
Për këtë, Ukraina nuk ka dhënë ende asnjë përgjigje. Vendimi i Vladimir Putin vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka shtuar përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje në Ukrainë.

Deri në këtë moment, Putini kishte refuzuar të pranonte një armëpushim të plotë të pakushtëzuar, duke e lidhur atë me ndalimin e furnizimeve perëndimore të armëve për Ukrainën dhe përpjekjet mobilizuese të Ukrainës.

Ndërkohë, Ukraina dhe Rusia kanë shënjestruar njëra-tjetrën me sulme me rreze të gjatë, kanë njoftuar zyrtarët të hënën, mes pasigurisë së vazhdueshme nëse një marrëveshje për të ndaluar luftën e tyre më shumë se trevjeçare është e arritshme në fillimin e asaj që kryediplomati amerikan e quajti një javë “shumë kritike”.